Ferizaj, profesori dhuron 40 maska 3D për QKMF-në

Profesori Shaban Buza ka shpërndarë 40 maska 3D për QKMF-në në Komunën e Ferizajt.

Këtë e ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt përmes një postimi në Facebook.

“Donacionet për t’i dalë në ndihmë stafit shëndetësor për përballimin e situatës me COVID-19 po shtohen çdo ditë. I tillë ishte edhe donacioni i sotëm nga profesori universitar Shaban Buza i cili dhuroi 40 maska të përgatitura me printer 3D për stafin shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se maska të tilla nga profesori Buza janë dorëzuar edhe javën që lamë pas për Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt. Ato janë punuar në printer 3D të konceptuara për një mbrojtje efikase të stafit shëndetësor në kontaktet e përditshme me pacientë.

377 persona deri më tani janë konfirmuar me Coronavirus në Kosovë, 63 prej tyre janë shëruar ndërsa 8 prej tyre kanë vdekur.