Ferizaj, konfiskohen 700 kilogramë mish që nuk i plotësonin kushtet për tregtim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion për inspektimin e mishtoreve në Ferizaj, në bashkëpunim me inspektorët komunalë.
Sipas zëdhënësit të AUV-it, Lamir Thaçit, nga ky aksion janë konfiskuar 700 kilogramë mish dhe produkte të mishit, që nuk plotësonin kushtet ligjore për tregtim.
“Produktet e mishit të konfiskuar ishin: mish i freskët, mish i grirë, suxhuk, virshlle, mish i terur. E gjithë sasia u tërhoq nga shitja, u bllokua me urdhër të inspektorit dhe do të asgjësohet në prani të inspektorëve kompetent”, tha ai.
Thaçi gjithashtu ka bërë të ditur se shumica e mishtoreve i kanë pasur kushtet e mira higjenike, ndërsa për hapësirat që kishte defekte janë urdhëruar përmirësimet brenda afateve kohore.
Sipas tij, aksione të tilla do të ndërmerren në gjithë Kosovën.
“AUV përmes inspektoratit veterinare është duke ndërmarre aksione ne te gjithë Kosovën të largoj nga tregu të gjitha produktet ushqimore me origjine shtazore te cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për sigurinë ushqimore”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.