Ilustrim

Ferizaj, arrestohet 28-vjeçari nga Shqipëria që dyshohet për disa vjedhje të rënda në lokale

Policia në Ferizaj ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, i cili dyshohet për vjedhje të rëndë në tentativë dhe disa vjedhje të tjera në Ferizaj.

Sipas njoftimit të Policisë, ata kanë pranuar informatën më 25.05.2024, rreth orës 03:55 se në rrugën “Gjon Serreqi” në një lokal afarist një person kishte depërtuar me forcë dhe ishte në proces të vjedhjes.

Pas pranimit të informatës, Policia e ka rrethuar zonën dhe lokalin afarist, dhe më pas e kanë arrestuar të dyshuarin.

“Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të rrugës ” Gjon Serreqi” dhe kanë arritur që ta rrethojnë zonën dhe lokalin, ndërsa në flagrancë kanë arrestuar të dyshuarin E.D, mashkull, shtetas i Shqipërisë, i moshës 28 vjeçare dhe e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 25.04.2024.

Policia ka shtuar se në Stacionin e Policisë në Ferizaj kanë pranuar edhe disa raportime tjera të vjedhjeve të rënda në lokale të ndryshme afariste, për të cilat dyshohet se i ka kryer i arrestuari.

“Rreth orës 09:00 në stacionin e policisë në Ferizaj nga disa qytetarë janë raportuar edhe katër raste të vjedhjeve të rënda në lokale të ndryshme afariste, të cilat kanë ndodhur gjatë natës në rrugët “Enver Topalli”, ” 12 Qershori” dhe ” Gjon Serreqi” dhe të cilat dyshohet se i ka kryer i dyshuari i arrestuar E.D” – kanë njoftuar nga Policia.

Me këtë rast, Policia njofton se hetuesit dhe krimteknikët e stacionit të policisë dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nën autorizim të prokurorit kanë dalë për të ekzaminuar vendet e ngjarjeve dhe janë duke bashkëpunuar dhe duke i verifikuar të dhënat tjera, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë edhe në disa raste tjera të vjedhjeve të rënda në Ferizaj.

Ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë,  ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore” – njofton Policia.