Fëmija 4-vjeçar përpiu monedhën metalike, mjekët në QKUK arrijnë t'ia largojnë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mjekët kanë kryer një intervenim jo të shpeshtë.

Një fëmijë i moshës 4-vjeçare nga Mitrovica kishte përpirë një monedhë metalike 2-euroshe, e cila kishte depërtuar deri në lukth, duke ia rrezikuar shëndetin.

Pas komplikimit të gjendjes fëmija ishte shtrirë në  Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK.

Mjekët përmes metodave endoskopike kanë arritur ta largojnë monedhën nga lukthi i fëmijës, i cili tani gëzon shëndet të plotë, njofton ShSKUK-ja.

Profesionistët shëndetësor kanë apeluar tek prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe mos të lejojnë që fëmijët të mbajnë monedha metalike dhe gjësende të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të ju shkaktojnë telashe shëndetësore.