Ilustrim

Federata Sindikale e Shëndetësisë kërkon që në pakon emergjente të përfshihet i gjithë zinxhiri shëndetësor

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës përmes një komunikatë kanë njoftuar se sot i janë drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe Ministrit të Shëndetësisë, Arbe Vitia në lidhje me kompensimin shtesë për punëtorët shëndetësor të paraparë në Pakon Fiskale Emergjente në shumën prej 300 eurove.

Përmes komunikatës ata kanë kërkuar që të përfshihet në këtë kompensim i gjithë zinxhiri shëndetësor ku bëjnë pjesë: Punëtori i sigurimit, pastruesi/ja, bartësit, vozitësit, shërbimet teknike, IT-të dhe duke përfunduar tek infermierët dhe mjekët.

Përmes komunikatës, Federata Sindikale ka thënë se deri më sot ka adresuar 12 komunikata, reagime dhe kërkesa në lidhje me problematikat e njëjta.

“Duke ju rikujtuar reagimet tona me kohë nga data 12 Mars 2020 deri më sot janë adresuar Komunikata, Reagime dhe Kërkesa si në vijim( 12 Mars 2020, 13 Mars 2020, 16 Mars 2020, 23 Mars 2020, 27 Mars 2020, 29 , 30 dhe 31 Mars 2020, 01,02 dhe 3 Prill 2020, 16 Prill 2020). I nderuari Z. Kryeministër në detyrë, po ju bëj edhe njëherë me dije se bazuar në informatat nga terreni e që kanë të bëjnë me ndarjen e kompenzimit shtesë(stimulimit) për punëtorët shëndetësor, po më duhet të jua rikujtoj se sistemi shëndetësor është zinxhiror dhe çdo shkëputje e hallkës së këtij zinxhiri dërgon në dështim të sistemit shëndetësor. Pra, nëse stimulimet nuk do të bëhen ashtu sic e meritojnë punëtorët shëndetësor dhe stafi i tij mbështetës ju do të mbani përgjegjësi morale dhe juridike. I nderuari Z, Kryeministër në detyrë, po jua rikujtoj se në një institucion më të vogël shëndetësor i cili funksionon në këtë kohë Pandemie bëjnë pjesë: Punëtori i sigurimit, pastruesi/ja, bartësit, vozitësit, shërbimet teknike, IT-të dhe duke përfunduar tek infermierët dhe mjekët”, thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu Sindikata ka njoftuar kryeministrin se nëse do të diskriminohen këta punëtorë, atëherë do të ndërmerren masa juridike sepse sipas tyre masat sindikale janë të pamundshme në këtë kohë pandemie.

“Po ju themi hapa juridik ngase hapat sindikaliste në këtë moment nuk mund ti ndërmarrim, sepse jemi në vijën e parë të frontit”, përfundon reagimi.