Apelohet që mjetet për dekorimin e qyteteve të investohen në shëndetësi

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka apeluar tek të gjithë kryetarët e komunave që të kenë parasysh situatën e rënduar me pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.

FSSHK ka kërkuar që mjetet e projektuara për aktivitet të tillë të investohen në sektorin e shëndetësisë dhe në mbrojtje të popullatës në nivel të komunave.

“Është i patolerueshëm dekorimi i qyteteve për festa të fundvitit kur qytetarët tanë po ballafaqohen me kushte të rënda mbijetese me Pandeminë dhe gjendjen socio ekonomike të familjeve të tyre. Andaj FSSHK bën apel tek Kryetarët e Komunave dhe Asambleve Komunale që të jenë më të arsyeshëm sa i përket shpenzimeve të parasë publike”, thuhet në komunikatë për media.

Ata kanë parashtruar pyetjen se kush do t’i vizitojë këto qendra të dekoruara të qyteteve kur kemi masa kufizuese.

KALLXO.com ka raportuar situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të keqësohet çdo ditë e më shumë përderisa pavarësisht numrit të madh të personave të infektuar, Komunat e Kosovës kanë filluar procedurat e tenderimit për të stolisur sheshet e qyteteve për festat e fund-vitit.

Vetëm të hënën, më 2 nëntor kanë qenë dy komuna të Kosovës që kanë nisur procedurat e tenderimit për stolisjen qytetit me drita dekorative.

Numri total i rasteve pozitive është 26.121 raste dhe 777 raste të vdekjes.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Në kohë pandemie Komuna e Prizrenit ndan 30 mijë euro për stolisjen e qytetit për fundvit