Foto: Federata e Basketbollit të Kosovës

Federata e Basketbollit shtyn fillimin e edicionit 2020-2021

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot ka marrë vendim që të shtyjë fillimin e edicionit të ri në basketboll 2020/21, për një muaj, më saktësisht që edicioni i ri të fillojë më 14.10.2020, kur edhe do të organizohen ndeshjet e Superkupës së Kosovës. Ndeshjet e play-outit gjithashtu do të shtyhen për një muaj.

Sipas njoftimit, edicioni i ri në basketboll ka qenë i programuar të fillojë më 16.09.2020 me ndeshjet e Superkupës së Kosovës në të dyja konkurrencat dhe më pas të vazhdojë me garat e edicionit 2020-2021.

“Ky vendim është marrë duke parë gjendjen momentale të pandemisë COVID-19 në vendin tonë, por edhe pas konsultimeve me autoritetet përkatëse në nivel vendor dhe në pajtim me udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë”, thuhet në njoftimin  e federatës.

Gjithashtu, federata ka kërkuar nga institucionet që varësisht prej situatës me pandeminë COVID-19 të marrin vendim për lejimin e zhvillimit të stërvitjeve në mënyrë që klubet tona të fillojnë ngadalë, por sigurt përgatitjet për edicionin e ri.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Federata e Basketbollit e Kosovës e ka përgatitur Udhëzuesin për Rikthimin në Fushat e Basketbollit (versionin 3.0) dhe në momentin që Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim për lejimin e zhvillimit të stërvitjeve (dhe më pas edhe garave), atëherë FBK do t’i pajisë të gjithë anëtarët e saj me këtë Udhëzues, i cili do të jetë udhërrëfyes për ruajtjen e shëndetit të të gjithë basketbollistëve/eve, zyrtarëve të ekipit, zyrtarëve të ndeshjeve dhe gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë.