Ilustrim

Euro - valuta e vetme për pagesë në Kosovë, BQK tregon se për çfarë mund të përdoren valutat e tjera

Sipas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, për operacionet me paratë e gatshme e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”- thuhet në rregulloren e re.

BQK ka sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Por asnjë valutë tjetër përveç euros nuk mund të përdoret si mjet pagese në Republikën e Kosovës.

“Megjithatë, subjekt i kësaj rregullore nuk janë aspektet e transaksioneve vullnetare ndërmjet palëve dhe rreziqet që bartin transaksionet e tilla janë përgjegjësi e palëve të përfshira në to”- thuhet në sqarimin e BQK-së.

Banka Qendrore e Kosovës  ka publikuar në faqen e saj në Facebook dokumentin “Pyetjet dhe Përgjigjet më të Shpeshta mbi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme”.

Rregulloren e re për operacionet me paratë e gatshme e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024 mund ta gjeni KËTU.