Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të fillojë me formimin e Asociacionit

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot në një bisedë online me gazetarë ka folur në lidhje me takimin e  mbrëmshëm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së.

Escobar the se diskutimet e djeshme kanë qenë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sipas tij, zbatimi i saj fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kemi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve dhe diskutimet e djeshme kanë qenë për implementimin e asaj Marrëveshjeje dhe zbatimi i saj fillon me formimin e Asociacionit. Ishte një fokus intensiv i diskutimeve”- ka deklaruar Escobar.

Ai theksoi se kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të takohen në dy javët e ardhshme për të diskutuar në lidhje me këtë proces.

“Elementet me rëndësi u diskutuan dhe tashmë është në dorë të kryenegociatorëve të vazhdojnë përpara dhe të fillojnë të dalin me një statut të zbatueshëm. Pritshmëritë tona janë që në dy javët e ardhshme, kryenegociatorët të takohen për të diskutuar këtë proces përsëri”- tha Escobar.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm që të dyja palët, veçanërisht Kosova, të marrë me seriozitet këtë proces dhe të vazhdojë në mënyrë të përshpejtuar që ta vendosin në shqyrtim parlamentar dhe shqyrtim legal dhe të sigurojnë që është i pakthyeshëm si pjesë qendrore e normalizimit të marrëdhënieve”- shtoi ai.

I dërguari i posaçëm i SHBA vlerësoi si moment të rëndësishëm miratimin e Deklaratës për personat e zhdukur mbrëmë nga palët.

“Dua të theksoj se jam i lumtur që të dyja palët miratuan marrëveshjen për Deklaratën për personat e zhdukur, ishte me të vërtetë e rëndësishme dhe ne do vazhdojmë të shikojmë për përparim në fusha të tjera gjithashtu”- tha mes tjerash Esocbar.

Dje u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti, presisdentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantua drafti i Asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha se është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeminsitri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij Asociacioni. Nuk është se kam pritur diçka tjetër, isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket Asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.