Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan: Paqja në Ukrainë varet nga kthimi i territoreve të pushtuara

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Rusia duhet t’ia kthejë Ukrainës tokat e pushtuara, nëse qëllimi është një paqe e qëndrueshme.

“Nëse rikthehet paqja në Ukrainë, natyrisht, kthimi i territoreve të pushtuara do të jetë çështje shumë e rëndësishme. Kjo gjë pritet”, ka thënë Erdogan në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS.

“Territoret e pushtuara duhet t’i kthehen Ukrainës”, ka thënë Erdogan gjatë intervistës në Nju Jork, duke shtuar se Moska duhet t’ia kthejë “edhe Krimenë pronarëve të ligjshëm”.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ankaraja nuk e njeh një gjë të tillë.

Turqia është vend anëtar i NATO-s, por ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.

Ky vend ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të mundësuar daljen e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës.

Toka të mbjella me grurë në Ukrainë.
LEXONI EDHE KËTË:

Britania hedh poshtë deklaratat e Putinit për eksportet e grurit ukrainas

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL