Edi Rama - Foto: REL/AP

Edi Rama: Kam respekt për Isa Mustafën dhe jam befasuar nga opinioni i tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për gazetarë ka thënë se është i befasuar nga deklarata e Isa Mustafës se mini-Schengeni ballkanik çon në Jugosllavi të re.

Rama po ashtu është shprehur se nuk është i qartë për akuzat e Mustafës se ai po e çon përpara një kauzë të tillë.

Kryeministri Rama ka thënë se nuk ka të bëjë me ish-Jugosllavinë dhe të vetmet gjëra që e lidhin me të janë kujtimet e keqtrajtimit të shqiptarëve.

“Kam respekt për Isa Mustafën dhe jam befasuar nga opinioni i tij dhe ka të drejtë të ketë opinion ndryshe nga unë. Të më thuash mua se Schengeni ballkanik çon në një Jugosllavi të re, nuk e kuptoj. Unë nuk kam asnjë lidhje me ish-Jugosllavinë dhe kam vetëm kujtime nga keqtrajtime të shqiptarëve dhe nuk është fort elegante. Schengeni ballkanik është një ide që është refuzuar në mënyrë konstante nga Bashkimi Evropian dhe Serbia. Kjo e fundit e ka refuzuar Schengenin ballkanik sepse e ka parë si kërcënim të shqiptarëve, pikërisht për arsye të kufirit”, është shprehur Rama.

Isa Mustafa: Mini-Schengeni çon në një Jugosllavi të re

Gjithashtu Rama ka shtuar se krijimi i një mini-Schengeni ballkanik është refuzuar në mënyrë konstante nga Serbia. Ndërsa është shprehur se nuk është i gatshëm të bëhet pjesë e këtij pakti nëse nuk përfshihet lëvizja e lirë e njerëzve.

“Sa e sa herë janë bërë deklarata se do ta hapim kufirin, i kanë bërë të gjithë këto deklarata. Është hapur kufiri?- Jo! Unë kam bërë këtë shtyrje me ngulm të madh dhe i kam thënë presidentit serb se nëse nuk përfshihet lëvizja e lirë e njerëzve atëherë ne nuk kemi pse të përfshihemi. Unë nuk mund ta bëj të madhin dhe t’i bind të tjerët të marrin pjesë. Ju e dini që Kosova është në kohë tranzicioni sepse qeveria në ikje duhet t’ia lëshojë vendin qeverisë në ardhje. Unë e kam përshëndetur deklaratën e Albin Kurtit, i cili ka thënë se Kosova duhet të marrë pjesë nëpër tryeza dhe të diskutojë dhe unë i respektoj vendimet e tyre edhe kur nuk i mirëkuptoj”, ka vazhduar më tej ai.