Edhe policëve të tjerë në Gjilan u janë marrë armët për shkak të problemeve psikike

Gjatë ditës së djeshme, një tragjedi ndodhi nëGjilan, ku mbetën të vdekur pesë anëtar të familjes Bllaca.

Pjesëtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, dyshohet se vrau prindërit e saj, dy vëllezërit e më pas bëri vetëvrasje.

Motivet e këtij rasti nuk janë zbardhur ende, por KALLXO.com ka mësuar  se arma zyrtare  i ishte marrë zyrtares policore disa muaj më parë pasi që e njëjta po merrte trajtim psikiatrik për shkak të disa problemeve që i ishin shfaqur.

Sipas burimeve të KALLXO.com, zyrtarja policore e cila dyshohet se vrau gjithë familjen e saj e më pas edhe vetën, nuk është policja e vetme në Stacionin Policor të Gjilan me probleme shëndetësore.

KALLXO.com nga burimet ka marrë vesh se në Stacionin Policor në Gjilan është edhe një zyrtar policor, i cili ka probleme me harresën.

Të njëjtit zyrtar policor KALLXO.com ka marrë vesh se për shkak të problemeve me harresën i është marrë arma zyrtare, ndërsa i njëjti vazhdon të punoj në Qendrën e Paraburgimit në Stacionin Policor në Gjilan.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga Policia në Rajonin e Gjilanit në lidhje me këtë rast, por të njëjtit na kanë udhëzuar që pyetjet t’i drejtojmë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ndërsa këta të fundit deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

KALLXO.con po pret përgjigje nga Policia e Kosovës edhe për numrin e zyrtarëve policor të cilët kanë probleme psikike dhe psikologjike.