Fushata elektorale që nis e s'përfundon me 'luftimin' e korrupsionit

Ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, zyrtarë të subjekteve politike në Kosovë janë mobilizuar për të kërkuar votat e qytetarëve.

Diskursi politik nisi të ndryshojë qysh pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, më 19 korrik të këtij viti, ku kryefjalë tashmë janë bërë luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike në vend shprehen pesimistë për një fushatë mirëfilli elektorale, në këmbim të besimit qytetar për të udhëhequr me institucionet shtetërore.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se fushatë e mirëfilltë parazgjedhore do të ishte nëse së pari partitë politike të kishin orientim të qartë ideologjik.

“Sado më pak e rëndësishme që duket ky aspekt në Kosovë – kjo është kruciale për të definuar qartë se çfarë do të jetë përmbajtja e programeve të këtyre partive. E njëjta vlen edhe me koalicionet, kjo sidomos në këto zgjedhje ku kemi koalicione të pazakonshme të partive që e quajnë veten të majta dhe ato të djathta”, tha ajo.

“Definimi i qartë i pikave ku këto koalicione kanë pikat e tyre të përbashkëta dhe se si kanë arritur shkrirjen e programit do të ishte fondamental në informimin e elektoratit”, shton Emini.

Deri më tani janë nënshkruar dy koalicione parazgjedhore: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt dhe Partia Socialdemokrate  (PSD) e Shpend Ahmetit do të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore, përderisa njësoj do të veprojnë edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk po arrijnë të merren vesh për një koalicion paraprak, për shkak të pozitës së kryeministrit, ku LDK-ja zyrtarisht kandidon me Vjosa Osmanin e VV-ja e përmend në vazhdimësi Albin Kurtin.

Por, Donika Emini vlerëson se deri tani koalicionet janë formuar më shumë strategjikisht për të siguruar mbijetesë politike për disa, “e për disa të tjera për të krijuar përqindje të mjaftueshme për të qenë lojtarë në formimin e koalicionit fitues dhe si pasojë qeverinë”.

Ndërkaq, Bekim Baliqi, profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, thotë për Gazetën JnK, se fushata zgjedhore do të duhej të përqendrohej në çështjet dhe politikat për të cilat qytetarët kanë nevojë të adresohen më së shumti, në rend të parë ato që lidhen me problemet sociale dhe ekonomike.

“Gjithashtu gjuha duhet të jetë e përmbajtur dhe argumentuese dhe e bazuar në shpalosjen e programit të partive”, thekson profesori universitar.

“Mirëpo, marrë parasysh përvojën nga e kaluara dhe koalicioneve mjaft të çuditshme nuk pres që të kemi fushatë të mirëfilltë demokratike, por më shumë përplasje personale e propagandës politike”, thekson Baliqi.

Përderisa me ngulm kërkojnë qeverisjen nacionale, shumica e subjekteve politike shqiptare në Kosovë, nuk i kanë të publikuara programet e tyre politike. KALLXO.com ka raportuar për këtë çështje.

Ndërsa, Donika Emini nga “CiviKos” thotë për Gazetën JnK, se elektorati në Kosovë ka shënuar progres dhe ngritje të vetëdijes, andaj partitë politike duhet të jenë reale në ato që ofrojnë.

“Programet do të duhej të kishin të qartë të gjitha proceset politike në Kosovë. Përsëri ka tendenca që kjo fushatë të orientohet më shumë në punësim, zhvillim ekonomik”, shtoi ajo.

Emini thekson se “social-demokracia” po duket të jetë term trendi në këtë fushatë, mirëpo, siç thotë ajo, partitë apo koalicionet do të duhej të kenë të qartë qëndrimet e tyre në raport me procese të rëndësishme në politikën e jashtme, më konkretisht në raport me dialogun me Serbinë dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Lufta e papritur” kundër korrupsionit

Luftimi i krimit, korrupsionit e nepotizmit, janë vetëm disa nga “rrengjet” që po i përdorin subjektet politike, si tentim për të siguruar mbështetje në zgjedhje.

Megjithëkëtë, këto deklarime po cilësohen të jenë si ofenduese për elektoratin kosovar.

Profesori universitar, Bekim Baliqi thotë për Gazetën JnK, se a e besojnë dhe sa e besojnë këtë votuesit, mbetet të shihet në mënyrën se si do të votojnë.

“Meqenëse, temat boshte nga zgjedhjet e mëparshme si liberalizimi i vizave, asfaltimi, punësimi etj., duket se janë konsumuar tej mase, çështja e luftimit të korrupsionit mbetet ndoshta premtimi i vetëm për të dalë me një çështje që i preokupon vërtet qytetarët”, theksoi ai.

Ndërsa, Donika Emini (CiviKos), thekson për Gazetën JnK, se zotimet në fjalë duken që janë më tepër për konsum politik, njësoj siç janë përdorur punësimi dhe rritja e zhvillimit ekonomik.

“Po të ishin të sinqerta këto zotime të partive politike, çkapja e shtetit është një proces i gjatë në të cilin do të duhej vullnet i madh politik jo vetëm nga partitë në pushtet por edhe ato në opozitë”, thotë ajo.

Një tjetër problematikë në mesin e partive politike në Kosovë mbeten edhe zyrtarët me aktakuza.

“Zotimet se do të luftohen këto fenomene nga partitë që kanë përfaqësues – por edhe kandidatë për deputet me shumë gjasë – të përfshirë në afera të mëdha korruptive, jo që duken të pasinqerta e të vështira për t’u arritur, por edhe janë ofenduese për elektoratin”, thotë Emini.

Shpërndarja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës me 22 gusht, i hapi rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar nga 25 shtatori.

Ndërkohë, para 6 tetorit, subjektet politike kosovare kanë kohë deri në mesnatën e 30 gushtit për dorëzimin e aplikacioneve për koalicione parazgjedhore.