Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe këtë vit KALLXO.com në listën e Departamentit të Shtetit si adresë për ta raportuar korrupsionin në Kosovë

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka listuar platformën KALLXO.com dhe drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese për Kosovë, Jeta Xharra, si një prej burimeve ku mund të raportohet korrupsioni në vend.

Kjo është publikuar në raportin e DASh-it për klimën e investimeve në botë për vitin 2021.

Kjo është hera e dytë, pasi edhe vitin e kaluar Departamenti i Shtetit përfshiu në listën e vet për raportim të korrupsionit platformën KALLXO.com.

Organizatat BIRN dhe Internews Kosova, që nga viti 2012 kanë krijuar platformën KALLXO.com për raportimin e korrupsionit dhe parregullsive tjera në ofrimin e shërbimeve publike.

Vetëm gjatë këtij viti, KALLXO.com pranoi mbi 2,500 raportime nga qytetarët për shumë keqpërdorime. Nga këto raportime, rezultuan mbi 100 arrestime për raste të korrupsionit.

Po ashtu. këtë vit, gazetarët hulumtues të KALLXO.com fituan çmime për cilësi në gazetari.

Së fundmi, gazetarët e KALLXO.com fituan çmimin e parë dhe të tretë të Bashkimit Evropian për storje hulumtuese.

Raporti i DASh flet në detaje për gjendjen aktuale të korrupsionit në Kosovë.

“Sondazhet e opinionit dëshmojnë perceptimin e publikut se korrupsioni është i përhapur në prokurimet publike dhe bizneset vendore dhe ndërkombëtare citojnë rregullisht korrupsionin, veçanërisht në formën e ndërhyrjes politike, si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për tërheqjen e investimeve”, thuhet në raport.

“Kosova ka miratuar një legjislacion të fortë për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur, burgosur dhe konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar. Qeveria ka miratuar masa të tjera për të adresuar korrupsionin, përfshirë një kërkesë për të kryer të gjitha prokurimet publike në mënyrë elektronike dhe për të publikuar emrat e fituesve të kontratave”, thekson raporti.

KALLXO.com në listën e Departamentit të Shtetit si burim për ta raportuar korrupsionin në Kosovë

www.kallxo.com