Ilustrim

Dyshohet se përdori armën, arrestohet ish-ministri i Haradinajt

Një ditë me diell si kjo e sotmja është shfrytëzuar nga ish-ministri i Qeverisë Haradinaj, Rasim Demiri, për t’i testuar aftësitë e tij në gjuajtje me armë.

Demiri, që sot është deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia VAKAT, është arrestuar nga Policia pasi është hasur në shoqërim të një personi, i cili po barte një pushkë dhjetëshe.

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, në një bisedë për KALLXO.com ka sqaruar se Demiri dyshohet se ka shtënë në shenjë me armën e konfiskuar.

“Ai është duke u ndjekur për gjuajtje me armë ndërsa shoqëruesi i tij për armëmbajtje pa leje”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Dy të dyshuarit janë hasur nga Policia në fshatin Pouskë të Prizrenit ndërsa janë liruar në procedurë të rregullt pas arrestimit.

Rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, përderisa një patrullë policore kishte hasur në dy persona të dyshuar në posedim të armës.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren Shaban Osmanollaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se janë arrestuar dy persona në një fshat në afërsi të Prizrenit. Të njëjti po dyshohen për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Që të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa pushka gjysmë-automatike është sekuestruar.

KALLXO.com ka tentuar të flasë me ish-ministrin Demiri por ai ka qenë i paqasshëm në telefonin e tij.