Gjatë votimeve në Universitetin e Prishtinës

Dyshime për manipulim në zgjedhjet studentore të UP-së

Sot po mbahen në mënyrë elektronike zgjedhjet për Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës.

Në këto zgjedhje janë duke garuar gjithsej 5 organizata studentore, ndërsa numri i studentëve me të drejtë vote është 29 mijë e 500.

Votimi është hapur në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 17:00 të pasdites.

Kaltrina Bejiqi, nënkryetare e organizatës ‘Paqja Studentore’ në një përgjigje për KALLXO.com ka ngritur dyshime për manipulime në votim.

Sipas Bejiqit, që rreth 2 orë, që nga ora 11:00, është bllokuar sistemi i votimit elektronik, ndërsa sipas saj votat po rriten vazhdimisht.

“Prej fillimit ka pasë probleme dhe ngatërresa. Prej orës 11:00 është blloku sistemi komplet, asnjëri prej studentëve nuk ka mujtë me votu. Gjatë kohës kur është blloku sistemi, është rritur numri i votave, që është shumë e pakapshme”, ka thënë Bejiqi.

Sipas saj, është raportuar problemi në KQZ-në e Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë thënë se ka qenë një ‘ndërhyrje nga jashtë’ dhe rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, në sektorin për krime kibernetike.