Dy futbollistët e "Ballkanit" dolën pozitiv me COVID-19, FFK iu ofron përkrahje

Federata e Futbollit e Kosovës iu ka ofruar mbështetje të plotë për dy futbollistëve të grupmoshave të reja të KF “Ballkani”, të cilët kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, Komiteti Ekzekutiv dhe të gjitha organet e tjera të FFK-së kanë ofruar përkrahjen e tyre të pa-rezervë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj gjendje.

Në njoftim thuhet se FFK do të jetë në vazhdimësi afër familjes së këtyre talenteve për çfarëdo që ka nevojë deri në shërimin e tyre.

“Futbollistët tanë që nga mosha e re kaliten për të kaluar çdo vështirësi dhe për t’u përballur me sukses kundër çdo kundërshtari e çdo sfide. Në këtë frymë pa dyshim zhvillohen edhe futbollistët e rinj të Suharekës, vatër kjo e njohur për futbollin tonë dhe me përplot talente të futbollit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

FFK kanë thënë se janë të sigurt që dy djemtë e ri të këtij klubi do ta kalojnë shpejt e pa asnjë pasojë edhe këtë sfidë shëndetësore dhe sapo të krijohen kushtet do t’i kthehen fushës së gjelbër për ta zhvilluar tutje talentin e tyre, në mënyrë që një ditë ta bëjnë krenar jo vetëm KF “Ballkani” por edhe Kosovën me cilësitë dhe vlerat e tyre.

Që nga 13 marsi, kur është shënuar personi i parë i prekur me coronavirus në Kosovës, deri më sot, janë regjistruar 449 të infektuar, 11 të vdekur dhe 79 të shëruar. Kurse në botë, numri i të infektuarve me coronavirus ka shkuar mbi 2.1 milionë.