Drejtori i KEK-ut: Njësia B2 pritet të kthehet në funksion rreth datës 20 janar

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka vizituar termocentralin “Kosova B” dhe është njohur nga afër lidhur me punimet në njësinë B2, të termocentralit “Kosova B”, e cila është jashtë funksionit që nga 14 dhjetori.

Për sanimin e dëmeve në këtë njësi është angazhuar ekipi i ekspertëve të KEK-ut dhe eksperti monitorues i “General Electric”.

Kryeshefi Krasniqi ka thënë se pret që kjo njësi të hyjë në funksion rreth datës 20 janar 2022.

“Duke çmuar angazhimin e ekspertit nga GE, i cili po asiston dhe monitoron punën e ekipit të ekspertëve të KEK-ut, falënderoj të gjithë stafin e TC-B-së, të cilët janë duke u angazhuar maksimalisht në sanimin defekteve të bllokut B-2, dhe me këtë rast njoftoj opinionin se ashtu sikur që kam deklaruar në konferencën për media ditë me parë, pritet që njësia B-2 të rikthehet në prodhim rreth datës 20 janar, 2022, edhe pse përpjekjet e tona të vazhdueshme janë që kjo të ndodh edhe me herët”, ka thënë Krasniqi.

KEK-u aktualisht është duke prodhuar me tri njësi prodhuese të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5, me kapacitet neto prej rreth 400 MW/h energji elektrike) dhe me njësinë B-1 (me kapacitet neto prej rreth 255 MW/h, energji elektrike).

“Krahasuar me bilancin vjetor energjetik jemi në mungesë prej afër 120 MW/h energji elektrike. Ndërsa sa i përket njësisë B-2, do t’ju njoftojmë me kohë për të gjitha punët lidhur me rikthimin në punë të Bllokut B-2”, tha në fund të vizitës Krasniqi.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B.

Fituese e kontratës është “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negocuar më 23 dhjetor.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës është theksuar që KEK-u nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballojë këtë avari me forcat e veta prandaj është i domosdoshëm angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës.

“Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, theksohet te njoftimi për nënshkrimin e kontratës.