Dragash, intervistohen nga Policia tre qytetarë që penguan KEDS-in të rregullonte linjën e rrymës

Tre qytetarë, të cilët kanë tentuar të pengojnë punën e KEDS-it dhe zyrtarëve policorë, janë dërguar në stacionin policor në Dragash dhe janë intervistuar.

Kjo pasi që ata penguan ekipet e KEDS-it teksa këta të fundit po tentonin ta rregullonin në trase.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Faton Alija, drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit.

“Dje KEDS ka kërkuar Asistim. Sot kemi asistuar atje, rryma është rregulluar. Tre qytetarë që kanë tentuar të pengojnë punën e KEDS-it dhe zyrtarëve policorë janë dërguar në stacionin policor në Dragash, janë duke u intervistuar dhe prokurori do vendosë çfarë më tutje” – ka thënë Alija për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka thënë për KALLXO.com se mbi 3,000 konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike dhe se po presin që furnizimi të kthehet nesër. Por, sipas Buzhalës, kjo pritet të bëhet me asistimin e Policisë.

Sipas tij, sot është rregulluar prishja dhe nesër pritet të rikthehet furnizimi me rrymë.

Ai ka shpjeguar se kjo ka ndodhur pasi largpërçuesi 10kv në Restelicë ka mbetur pa tension dhe një konsumator ka filluar ndërtimin e objektit nën të dhe si pasojë e ndërtimit është dëmtuar linja.

“Me qëllim të energjizimit të daljes nga Largpërçuesi në Restelicë, ekipet e KEDS-it tentuan të bëjnë rregullimin në trasenë ekzistuese. Megjithatë, ata gjatë punës u penguan nga një konsumator, i cili nuk u lejoi atyre qasje. Për më tepër, nga terreni u pa se konsumatori kishte filluar edhe ndërtimin e një objekti nën linjën 10 kV, gjë që nuk përkon me rregullat dhe ligjet në fuqi” – ka thënë Buzhala për KALLXO.com.

“Me ndihmën e Policisë, shpresojmë se nesër do të bëhet aktivizimi i linjës dhe të kthehet energjia te konsumatorët. KEDS do të vazhdojë ta përcjell rastin te organet kompetente” – ka vijuar Buzhala.