Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Qe tri ditë mbi 3 mijë konsumatorë kanë mbetur pa rrymë në disa fshatra të Dragashit

Mbi 3 mijë konsumatorë në fshatrat e Komunës së Dragashit kanë mbetur pa rrymë qe tri ditë për shkak të dëmtimit të linjës, nën të cilën një qytetar ka filluar ndërtimin e një objekti. Madje sot, gjatë punës së ekipit të KEDS-it për rikthimin e rrymës për banorët, është penguar nga tre persona, të cilët janë dërguar për intervistim në Stacionin e Policisë në Dragash.

Në një përgjigje për KALLXO.com Viktor Buzhala, zëdhënës i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka thënë se sot është rregulluar prishja dhe nesër pritet të rikthehet rryma te konsumatorët.

Buzhala ka shpjeguar se si ka ardhur deri te kjo situatë. Zëdhënësi i KEDS-it ka thënë se largpërçuesi 10kv në Restelicë ka mbetur pa tension dhe se një konsumator ka filluar ndërtimin e objektit nën të dhe si pasojë e ndërtimit është dëmtuar linja.

Sipas tij, ekipet e KEDS-it kishin tentuar ta bëjnë rregullimin në trasenë ekzistuese, mirëpo gjatë punës  ata janë penguar nga një konsumator.

“Me qëllim të energjizimit të daljes nga Largpërçuesi në Restelicë, ekipet e KEDS-it tentuan të bëjnë rregullimin në trasenë ekzistuese. Megjithatë, ata gjatë punës u penguan nga një konsumator, i cili nuk u lejoi atyre qasje. Për më tepër, nga terreni u pa se konsumatori kishte filluar edhe ndërtimin e një objekti nën linjën 10 kV, gjë që nuk përkon me rregullat dhe ligjet në fuqi” – ka thënë Buzhala për KALLXO.com.

Tutje, ai ka bërë të ditur se si pasojë, mbi 3 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike dhe se po presin që furnizimi të kthehet nesër. Por sipas Buzhalës kjo pritet të bëhet me asistimin e Policisë së Kosovës.

“Me ndihmën e Policisë, shpresojmë se nesër do të bëhet aktivizimi i linjës dhe të kthehet energjia te konsumatorët. KEDS do të vazhdojë ta përcjellë rastin te organet kompetente” – ka vijuar Buzhala.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe Faton Alija, drejtor i Policisë Rajonale të Prizrenit. Ai ka teguar se tre persona janë dërguar për intervistim në Polici për shkak se kanë penguar punën e ekipit të KEDS-it.

“Dje KEDS ka kërkuar asistim. Sot kemi asistuar atje, rryma është rregulluar. Tre qytetarë që kanë tentuar të pengojnë punën e KEDS-it dhe zyrtarëve policorë janë dërguar në Stacionin Policor në Dragash, janë duke u intervistuar dhe Prokurori do vendosë çfarë më tutje” – ka thënë Alija për KALLXO.com.