Droga që u tentua të futej në Burgun e Dubravës u fsheh në një vrimë të kamionetës

Substancë e dyshuar narkotike pesha e së cilës ishte 748 gram, 11 telefona mobil, 8 kabllo për mbushjen e telefonave, 2 koka të kabllove mbushëse, 5 pako tableta të dyshuara të llojit Dbolmax dhe 212 tableta të dyshuara si ekstazi janë tentuar që të futen brenda Burgut të Dubravës javë më parë.

E gjithë skema ishte përgatitur që këto pajisje e tableta të cilat nuk lejohen që të futen brenda burgjeve, të hyjnë përmes një automjeti transportues të një kompanie.

Automjeti ka qenë i kompanisë e cila ishte kontraktuar për të bërë furnizime të kantinave në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Në bazë të asaj çfarë ka njoftuar SHKK, droga u tentua të futej deri sa ishte e mbështjellë me qese të bardhë dhe të dyshuarit e kishin vendosur në njërën nga vrimat e automjetit për tu mos u identifikuar.

I njëjti automjet ishte ndaluar në tunelin e Portës së re pasi që fillimisht SHKK përmes njësisë inteligjente kishte pranuar informacione për një veprimtari të tillë.

Për këtë rast tashmë janë duke u marrë edhe policia ndërsa Shërbimi Korrektues ka njoftuar se rasti është duke u hetuar ndërsa do të ketë edhe një raport të detajuar në lidhje me këtë cështje.

KALLXO.com ditë më parë transmetoi pamjet ekskluzive të bastisjes brenda Burgut të Dubravës më konkretisht pavijonin gjysëm të hapur të këtij burgu.

Informacionet ishin se të burgosurit kanë arritur që brenda qelive të fusin telefona e narkotik.

Në nisje të aksionit një telefon u gjet te një nga të burgosurit.

Një kabllo mbushëse u gjet te një tjetër i burgosur. Të dy të burgosurit do të humbnin privilegjet e tyre që kishin arritur t’i posedonin pas këtyre veprimeve të palejueshme brenda qendrave korrektuese.