Dosja e prokurorisë, si u gjetën çokollata me hashash në shtëpinë e të dyshuarit

Gzim Ajrullaoviç dhe Armend Idrizi të akuzuar për shitblerje të narkotikëve dolën sot para Gjykatës së Prishtinës.

Sipas Prokurorisë më 20 mars 2020 i pandehuri Gzim Ajrullaoviç i cili ka qenë nën masën e përgjimit së bashku me të pandehurin Armend Idrizi, pas dakordimit paraprak janë takuar, në fshatin Vragoli, në parkingun e pompës së derivateve në Magjistralen Prishtinë- Pejë ku policia ka arritur që t’i arrestojë në flagrancë.

Sipas prokurorisë  prezent ka qenë  edhe dëshmitari Berat Zymberi pa arritur që t’ia shesin substancën narkotike.

Dosja e prokurorisë tutje thekson se në trupin e të pandehurit Gëzim Ajrullaoviç janë gjetur shtatë qese të llojit marihuanë me peshë prej prej 7.1 gramë dhe para në vlerë prej 283 euro, kurse te i dyshuari Armend Idrizi janë gjetur narkotikë të llojit marihuanë me peshë prej 0.2 gram, të cilët i kishte dërguar dëshmitari- taksisti Bekim Krasniqi deri në vendin ku janë arrestuar të pandehurit e lartcekur.

Pas arrestimit është bërë bastisja e shtëpisë së të pandehurit Gëzim Ajrullaoviç e gjatë kësaj bastisje janë gjetur një qese substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 648.1 gram, dy qese(tulla) të llojit hashash(çokollatë) me peshë prej 709.1 gram, tri peshore dy prej tyre digjitale dhe një manual.

Ata po ashtu kishin gjetur një qese najlloni të vogël të cilat shërbejnë për paketim të narkotikeve të gjitha këto në një çantë sportive, kurse në dhomë janë gjetur një qese e vogël me narkotikë të llojit marihuanë në peshë prej 0.8 gram.

Në shtëpi është gjetur edhe një tjetër qese me marihuanë në peshë prej 1.1 gram, një shufër metalike me mbishkrim “policia”, dhe para metalike ne vlerë prej 61 euro.

Lidhur me këtë nga ana e prokurorisë akuzohen për veprat penale blerja, posedimi, shpëlarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Megjithatë, me fillim të seancës gjyqësore prokurorja Shemsije Asllani kërkoi shtyrjen e kësaj seance në një afat shumë të shkurtër, pasi që aktakuza me të cilën është nisur kjo procedurë duhet të korrigjohet.

Kjo me arsyetimin se aktakuza aktuale i ka të përfshira veprimet e dy të akuzuarve në një pikë të dispozitivit, ndërkaq pas korrigjimit  prokurorja do të bëjë ndarjen e veprimeve për secilin të akuzuar në mënyrë më të qartë, përkatësisht në dy pika të dispozitivit te aktakuzës.

Seanca e radhës u caktua me datën 12.06.2020 në ora 09:00.