Dorëheqja e prokurorëve në veri, KPK mbajti takim të jashtëzakonshëm

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Në takimin e sotëm ishin prezent edhe kryeprokurori i Apelit, Xhevdet Bislimi, ai i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në takimin e udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku u diskutua për situatën e krijuar nga dorëheqjet e prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb në Prokurorinë në Mitrovicë.

Anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si autoritete kompetente të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin propozimet konkrete për situatën në vend.

“Anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës”- thuhet në komunikatën e KPK-së.

Në komunikatë, thuhet se Këshilli në këtë takim nuk ka shqyrtuar dorëheqjet e prokurorëve me arsyen se nevojitet analizë dhe vlerësim paraprak nga organet kompetente.

“Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial nuk u lëshua në shqyrtimin e dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi administrativ, ngase paraprakisht nevojitet një analizë dhe vlerësim i gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventual që kanë shkaktuar këtë gjendje”- njofton KPK.

Në fund të këtij takimi, KPK ka diskutuar rreth gatishmërisë së Këshillit për koordinim të veprimeve me institucionet tjera me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa pasur ndërprerje në sigurimin e një ambienti të sigurtë juridik.

KPK ka kërkuar nga organet kompetente që të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore.

Situata në veri, KGJK nuk i trajton dorëheqjet e gjyqtarëve serbë