Donald Trump përballë një afati për të vendosur nëse do të dalë parë jurisë së madhe

Donald Trump u përball me një afat të mesnatës të së enjtes për të deklaruar nëse do të paraqitej përballë një jurie të madhe të Uashingtonit të mbledhur nga këshilltari special Jack Smith për t’i shqyrtuar akuzat federale lidhur me përmbysjen e tij zgjedhore dhe nxitjen e sulmit ndaj Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Të mërkurën vonë, duke cituar dy persona të njohur me këtë çështje, Guardian raportoi se prokurorët kishin mbledhur prova për të akuzuar Trump për tri krime.

Tri akuzat janë: pengimi i një procedimi zyrtar, komplot për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe një statut i pazakontë që e bën të paligjshëm komplotimin për t’i shkelur të drejtat civile.

Pengimi i procedimit zyrtar dënohet me burgim deri në 20 vjet. Komploti për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara mbart një dënim maksimal prej pesë vjetësh. Akuza për të drejtat civile dënohet me burgim deri në 10 vjet.

Të enjten pasdite, të gjitha indikacionet ishin se Trump nuk do të pranonte të dëshmonte.

Paditë në lidhje me tentativën për përmbysjen e zgjedhjeve të Trump priten së shpejti – jo vetëm në nivel federal, por edhe në qarkun Fulton, Gjeorgji, ku së fundmi u formua një juri e madhe për t’i shqyrtuar akuzat.  

Ish presidenti Trump u fajësua fillimisht për ndalimin e ndihmës ushtarake në një përpjekje për të nxjerrë papastërti politike nga Ukraina, pastaj për nxitjen e sulmit në Kapitol Hill. Në të dyja rastet, republikanët e Senatit e siguruan lirimin e tij në gjyq.

Ndërkohë, në mesataret e sondazheve për zgjedhjet paraprake republikane, Trump kryeson me rreth 30 pikë. Ai e ka mbajtur këtë udhëheqje edhe kur përballej me 34 akuza penale në Nju Jork, për pagesat e parave në këmbim të heshtjes ndaj porno yllit Stormy Daniels; 37 akuza federale për mbajtjen e tij të dokumenteve të klasifikuara; perspektiva e padive shtetërore dhe federale për përmbysjen e tij zgjedhore; një gjobë prej 5 milionë dollarësh pasi u mbajt përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje kundër shkrimtares E Jean Carroll; dhe hetimet e vazhdueshme për çështjet e tij të biznesit.

Duke i mohuar të gjitha këto akuza, Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat penale.

Sidoqoftë, sondazhet në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme e vendosin Trumpin në një garë të ngushtë me presidentin aktual Joe Biden. 

Trump zbuloi të martën se Smith i kishte thënë se përballej me akuza të mundshme. Sipas Neë York Times, që atëherë Trump është konsultuar me aleatët e Uashingtonit, duke përfshirë McCarthy dhe njujorkezen Elise Stefanik, kryetare e konferencës së Dhomës Republikane dhe një mbështetëse e vendosur, që shumë vëzhgues mendojnë se është duke e parë zgjedhjen si kandidate e Trumpit vitin e ardhshëm.

Sfidanti më i afërt i Trump për nominimin republikan, Ron DeSantis, këtë javë e kritikoi butësisht Trumpin për mosveprimin e tij më 6 janar 2021, teksa u sulmua Kapitoli, por gjithashtu tha se akuzat kundër ish-presidentit për përmbysjen e tij në zgjedhje nuk do të “ishin të mira për SHBA-të”.

Datat e caktuara të gjykimit kundër Trump do të bien ndesh me kalendarin primar republikan. Trump përballet me tri gjykime civile në Nju Jork, një që do të fillojë në tetor dhe dy në janar.

Në çështjet penale, Smith, avokati i posaçëm, ka kërkuar që gjyqi për akuzat për dokumente të klasifikuara të fillojë më vonë këtë vit. Në rastin e parave në këmbim të heshtjes, gjykimi është caktuar për në mars – në mes të zgjedhjeve paraprake republikane. Avokatët e Trump po përpiqen t’i shtyjnë të dy gjykimet deri pas zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm, kur Trump ose një president tjetër republikan mund të urdhërojë që të gjitha çështjet të pushohen./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala