Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

“Dobët kryeministër”, fjalët që përplasën LDK-në dhe Kurtin në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka ndërprerë fjalën e tij në Kuvend duke e kritikuar deputetin e LDK-së, Arben Gashin, se ky i fundit është “i papjekur”.

Kjo pasi sipas Kurtit, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, deputeti Gashi e ka ndërprerë vazhdimisht pa përdorur mikrofonin.

“Deputeti Gashi, qytetarët e Kosovës nuk e shohin se sa e vështirë është që të flasësh prej ndërhyrjeve të tua këtu, qytetarët nuk e dinë pse nganjëherë po marr kohë më shumë, sepse duhet të pres që të ndaleni ju” – tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit e ka ftuar deputetin Gashi që ta marrë fjalën sa herë që dëshiron të flasë.

“Për mua, deputeti Gashi vazhdon të mbetet e pa besueshme se sa e pa fundme është papjekuria juaj andaj mos më ndërpreni. Sa herë e doni fjalën e merrini por mos më ndërpreni sepse qytetarët nuk e dijnë pse fjalimi im ka pauza ndërmjet. Fjalimi im ka pauza ndërmjet sepse duhet duhet të qetësohet njëri” – deklaroi Kurti.

Deputeti Gashi në replikën e tij tha se kryeministrin e ka vlerësuar si “të dobët” në mënyrën se si ai komunikon.

“Ajo çka e tronditi kryeministrin dhe e humbi kontrollin ishte vetëm një fjalë “dobët kryeministër”, pra po ta them edhe publikisht se ndoshta mediat nuk e kanë dëgju dhe u zbehe, u salakuqe, u ç’ orientove, u ç’ rregullove, e humbe kohën veç për një fjalë ‘dobët kryeministër’”- deklaroi Gashi.

“Dobët në përfaqësimin tënd përballë Serbisë, dobët për mënyrën se si i ndërron qëndrimet tua, dobët për mënyrën se si komunikon, dobët sepse nuk vjen të raportosh në Kuvend, dobët sepse nuk po e përfaqëson dinjitetshëm vendin tënd, dobët sepse ti e ke kallur këtë Kuvend, dobët sepse i ke dërguar njerëzit drejt vdekjes. Dobët zotëri, shumë dobët” – shtoi ai.

Ai ka rikujtuar kohën kur kryeministri ishte në opozitë dhe kishte hedhur vezë dhe gaz lotsjellës ndaj qeveritarëve të atëhershëm.

“Po harron që prej asaj karrigës ku jam ulë, një më pas, ke gjujtë me vezë, para ardhësin tënd e ke gjujtë me sprej në sy, gaz lotsjellës, ke sulmu fizikisht, më ke sulmu mua kam qenë ulur edhe nuk ka bo askush një tragjedi kaq të madhe sikur ti prej një fjale” – theksoi deputeti Gashi.

Ndërkaq kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i ka kërkuar Kurtit që të ruaj qetësinë kur komunikon me deputetët e LDK-së.

“Të ftoj që kur komunikon me deputetë të LDK-së të ruash qetësinë dhe është pjesë e debatit parlamentar të rregullt, shumë më pak se çfarë ministrat e tij flasin sa herë dalin këtu” – tha Abdixhiku.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.