Djegia e billboardit, reagimi i Bordi të 'Liria ka emër'

Anëtarët e bordit të platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë mbajtur një konferencë për media pas djegies së billboardit të tyre në hyrje të Graçanicës.

Hoxha e Tasholli madje kanë folur se prej nga ka ardhur sipas tyre urdhëri për djegien e billboardit.

“Mëngjesi i sotëm ka zbardhë më një ngjarje që ka lëndu çdo qytetar. Liria nuk duhet t`i pengojë askujt. Ne besojmë se ky akt vjen nga Beogradi zyrtar sepse Serbisë i pengon liria dhe pavarësia e Kosovës. Platforma “Liria ka emër” ka për qëllim të shpalos vlerat e Kosovës. Këtë betejë Serbia do ta humb ashtu si e ka humbur para 20 viteve… Video me rrëfime të ushtarëve të UÇK-së do vazhdojmë të publikojmë edhe në ditët në vijim”, u shpreh ai.

Tasholli paralajmëroi vendosjen e billboardit të ri në vendin që u dogj në mëngjesin e së martës.

Ndërsa, Eliza Hoxha theksoi se veprimi i tyre nuk ka pasur për synim paragjykimin e komuniteteve, duke shtuar se ky akt vije nga instrumentalizimi i Serbisë sepse i pengon liria.

“Instrumentalizimi që vjen nga Serbia ndër vite ka bërë që ne të heshtim dhe të tjetërsohemi në historinë tonë. Mos të dijmë kush ku e ka vendin, e së kush janë emrat dhe vlerat e historisë sonë. Dhe nuk besoj që në një shtet si Kosova, i shpallur në bazë të qytetarëve të saj i pengon dikujt liria. Sepse, liria është koncept që i përket të gjithëve”, u shpreh ajo.

Në orët e para të mëngjesit është djegur billboardi “Liria ka emër” në hyrje të  Graçanicës, afër Kishnicës.

“Liria ka emër” është një platformë që është formuar për t’u dalë në mbrojtje ish-udhëheqësve të UÇK-së të cilët janë duke u gjykuar në Hagë nga Dhomat e Specializuara.