Foto: Twitter

Dita e Europës: Presidentja e KE, Von der Leyen në Kiev

Von der Leyen ka udhëtuar në Kiev Ditën e Europës 9 Maj. Në takimin me presidentin Zelenski do të theksohet mbështetja e pakufizuar për Ukrainën. Putin në Paradën e Moskës vazhdon të flasë për operacion special ushtarak.

Në festimet e Ditës së Europës me 9 Maj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev.

Politikanja gjermane ka udhëtuar me trenin e natës nga Polonia dhe takohet të martën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski ku do të theksojë mbështetjen e pakufizuar të BE për Ukrainën në luftë kundër Rusisë.

Von der Leyen e viziton kryeqytetin ukrainas, Kiev për herë të pestë që nga fillimi i invazionit rus para 14 muajsh. “Prezenca ime në Kiev, sot më 9 Maj është një simbol i rëndësishëm”, tha von der Leyen. Para mbërritjes së saj, në Kiev kishte pasur dy orë më parë alarm ajror. Në twitter von der Leyen shkroi. “Bukur të jesh sërish në Kiev. Aty ku vlerat që për ne janë të rëndësishme mbrohen çdo ditë.”

Dita e Europës nuk përkujton vetëm fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren ndaj Gjermanisë naziste, por ajo shenjon edhe përvjetorin e Deklaratës së Schumanit.

Më 9 Maj 1950 ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës, Robert Schuman pati propozuar një deklaratë për të bërë të pamundur më luftën mes vendeve europiane.

Në Deklaratën e Schumanit kërkohej krijimi i një Bashkësie Europiane të Qymyrit dhe Çelikut, ku anëtarët do të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Kjo deklaratë konsiderohet edhe si ora e lindjes së BE. Anëtarët themelues të bashkësisë ishin Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.

Zelenski: Mbrojtja e Ukrainës ruan kujtimin për tmerrin e Luftës së Dytë Botërore

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski e ka vendosur mbrojtjen e Ukrainës në një radhë me luftën kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Nuk bëhet fjalë vetëm për të kujtuar, por edhe të mbrojtur vlerat tona dhe për të fituar ndaj agresorit, tha 45 vjeçari të hënën në mbrëmje në një fjalim televiziv. Më 8 Maj në Europë u përkujtua fundi i Luftës së Dytë Botërore. “Suksesi i ukrainasve në mbrojtjen kundër agresorit rus janë qartësisht medikacioni i duhur ndaj agresioneve të tjera”, tha Zelenski.Bota mund të shohë, se si popull i lirë mbrohet nga pushtuesit. “Nëse ne mund ta bëjmë këtë, munden edhe të tjerët.”

Rusia e feston 9 Majin si ditën e  fitores kundër Gjermanisë naziste

Në Rusi ,Dita e 9 Majit festohet si fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe dita e fitores ndaj Gjermanisë naziste. Si çdo vit zhvillohet një paradë e madhe ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë, ku presidenti Putin mban një fjalim.

Putin ende vazhdon ta quajë agresionin rus operacion special. Në fjalim ai tha se “jemi krenarë për pjesëmarrësit e operacionit special ushtarak në Ukrainë dhe bëri thirrje për “fitore”. E gjithë Rusia është bashkuar për heronjtë e saj , tha Putin, ne lutemi për ju. Festimet zhvillohen në masa të forta sigurie, sipas Kremlinit. Së fundmi janë shtuar sulme të dyshuara me drone dhe akte sabotazhi në Rusi, ku trenat kanë dalë nga shinat dhe ka shpërthyer zjarr. Qeveria në Moskë bën përgjegjëse për këtë Kievin./DW