Disa fshatra të Prishtinës pa mjekë për muaj të tërë, shkak gjendja me pandeminë

Në disa fshatra në zona të thella të Komunës së Prishtinës ka mungesë të mjekëve tash e  disa muaj.

Si shkak i mungesës së mjekëve, banorëve u duhet të shkojnë në qendra më të mëdha ose në Prishtinë edhe për kontrollet më të thjeshta.

Në fillim të pandemisë, mjekët janë angazhuar kryesisht në qytet, për shkak të nevojës më të madhe për shërbime duke i lënë kështu qendrat shëndetësore në disa fshatra të mbyllura.

Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është thënë se në disa fshatra mungojnë mjekët për shkak të gjendjes me pandeminë dhe mungesës së stafit.

“Po në disa fshatra QMF-të dhe AMF-të funksionojnë normal si në Prishtinë, e në disa fshatra nuk ka mjekë për shkak të gjendjes aktuale me Covid-19 ka mungesë stafi,” thuhet nga QKMF.

Në anën tjetër, komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020 angazhoi rreth 40 pjesëtarë shtesë të personelit shëndetësor, por si duket pjesa më e madhe janë të angazhuar në QMF të qytetit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Drejtorisë së Shëndetësisë në komunë, por nuk kemi marr ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.