Dhurohen shërbime falas për konsumatorët që kanë kaluar nga Z-Mobile në VALA

Menjëherë pas mesnate, 220 mijë numrat të cilët kanë qenë në pronësi të Z-Mobile kanë kaluar në shfrytëzim te Telekomi i Kosovës.

Vala ka njoftuar se do të dhurojë shërbime falas për të gjithë këta klientë që nga sot kanë kaluar në Telekomin e Kosovës.

Këta konsumatorë kanë pranuar një mesazh mirëseardhje.

“I nderuar konsumator, mirë se erdhe në shtëpinë tuaj, ku komunikimi ka kuptim! Vala ju dhuron 50 GB interenet, 150 min kombëtare dhe 150 SMS. Të bashkuar jemi më të fortë!”, shkruhet në mesazhin e Valës.

Edhe Z-Mobile ka dalë me njoftim ku ka treguar se nga sot ka përfunduar së dhëni shërbime për 220 mijë klientët e saj që tashmë kanë kaluar në Telekomin e Kosovës.

Në fund të muajit korrik, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka vendosur që mos ta vazhdojë më kontratën me Z-Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.