Logo e kompanisë "Z-Mobile" - Foto: facebook

Z-Mobile shpall 'kapitullimin'

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka vendosur që 220 mijë numrat të cilët deri tani kanë qenë në pronësi të Z-Mobile t’ia kalojë në shfrytëzim Telekomit të Kosovës.

Kjo ka ndodhur në mesnatë, me të filluar dita e 28 nëntorit, kur edhe ka pushuar dhënia e shërbimeve nga Telekomi i Kosovës për nevoja të Z-Mobile.

“Me keqardhje, ju njoftojmë se me këtë vendim ne nuk jemi pajtuar dhe kjo situatë e krijuar është jashtë vullnetit tonë si kompani”, thuhet në njoftimin zyrtar të Z-Mobile.

Z-Mobile ka njoftuar klientët e saj se që nga sot, pushon së dhëni shërbime për ta.

“Na vjen keq për çfarëdo bezdie që mund të ju shkaktohet nga gjendja e krijuar. Ju falënderojmë për besimin!”, përfundon njoftimi i Z-Mobile.

Vala ka njoftuar klientët të cilët kanë pasur numra të Z-Mobile dhe tashmë kanë kaluar te Telekomi i Kosovës, se iu ka dhuruar 50 GB internet, 150 minuta kombëtare dhe 150 SMS.

Në fund të muajit korrik, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka vendosur që mos ta vazhdojë më kontratën me Z-Mobile.

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.