Deutsche Welle mbyll byronë në Moskë

Deutsche Welle (DW) në Rusi është mbyllur një ditë pasi Moska i tha transmetuesit gjerman se do t’i revokonte akreditimin.

Ky njoftim i Moskës erdhi pas një hapi të Berlinit që ndaloi transmetimet nga kanali rus RT (Rusia Sot) për shkak se nuk kishte një licencë të kërkuar.

DW tha më 4 shkurt se korrespondentët e saj në Moskë pushuan së punuari dhe kthyen kredencialet e tyre, sipas mandatit të Ministrisë së Jashtme ruse edhe pse transmetuesi gjerman ka një licencë të vlefshme.

Deri më tani gazetarëve të DW nuk u është kërkuar të largohen nga vendi, shtohet më tej.

“Është e qartë se erdhi si një tronditje e madhe për të gjithë ne”, tha Irina Filatova, e cila punon për shërbimin rus të DW në Gjermani që ende po transmetonte më 4 shkurt.

“Ne prisnim disa masa pasi RT u ndalua në Gjermani. Por nuk e prisnim kurrë që këto masa hakmarrëse nga autoritetet ruse do të ishin kaq të vështira… Nuk e prisnim kurrë që studioja jonë në Moskë do të mbyllej dhe të gjithë kolegët tanë që punojnë në Rusi do të humbasin akreditimin”, tha ajo.

Këto telashe mes Gjermanisë e Rusisë erdhën në mes të tensioneve në rritje midis Perëndimit dhe Moskës lidhur me grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave nga Rusia në zonat përreth kufirit me Ukrainën.

Gjermania, mes shumë vendeve, i ka bërë thirrje Kremlinit që të de-përshkallëzojë situatën duke tërhequr ushtarët dhe pajisjet e saj nga kufiri.

Ajo vjen gjithashtu pasi Rusia po godet ashpër median e pavarur – kryesisht lokale – pas dëbimit të disa gazetarëve perëndimorë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha më 4 shkurt se Moska ishte e hapur për zgjidhjen e konfliktit, por gjithashtu do ta përshkallëzonte atë nëse Berlini ndërmerr ndonjë lëvizje të mëtejshme.

Mosmarrëveshja u ndez më 2 shkurt kur një panel rregullator gjerman i medias vendosi që RT duhet të ndërpresë transmetimin e programeve të saj në gjuhën gjermane në vend, duke riafirmuar një vendim në dhjetor që thoshte se RT-së i mungon licenca e nevojshme për transmetime.

RT pretendon se një licencë që mban në Serbi për transmetimin satelitor i jep të drejtën për të transmetuar në Gjermani sipas një marrëveshjeje të Këshillit të Evropës, në të cilën të dy vendet janë palë.

Të nesërmen, Rusia njoftoi masat e saj hakmarrëse dhe shtoi se do të nisin një procedurë për të etiketuar zyrtarisht DW si agjent të huaj dhe për të ndaluar hyrjen në Rusi të zyrtarëve gjermanë dhe individëve të tjerë të përfshirë në vendimin për ndalimin e transmetimit të RT në Gjermani.

Deutsche Welle e ka quajtur vendimin rus “absurd” dhe thotë se po bëhet një peng “në një mënyrë që mediat duhet ta përjetojnë vetëm në autokraci”.

E nisur në vitin 2005 si Rusia Sot, RT e financuar nga shteti ka zgjeruar vazhdimisht transmetimet dhe faqet e saj të internetit në disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe arabisht.

Kanali është ndaluar në disa vende, duke përfshirë ish-republikat sovjetike, tani shtete anëtare të BE-së dhe NATO-s, Lituani dhe Letoni.

Në Shtetet e Bashkuara u kërkua të regjistrohej si agjent i huaj dhe autoritetet britanike kanë kërcënuar se do t’i heqin licencën e transmetimit.

DW, një transmetues shtetëror gjerman, ka shërbimin e saj të disponueshëm në 30 gjuhë, duke përfshirë rusishten./REL