Armatimi i konfiskuar nga Polica e Kosovës. Foto: KALLXO.com.

Detaje nga aksioni i policisë në Veri të Mitrovicës, llojet e armëve dhe vendet ku u sekuestruan ato

Arsenal armësh janë konfiskuar gjatë një aksioni që ka nisur në orët e pasdites së 14.06.2024 në pjesën e Mitrovicës së Veriut.

Në tre lokacione Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar armë të gjata, municion e pajisje të tjera të ndryshme ndërsa deri më tani për këtë rast nuk ka ndonjë të arrestuar.

Në raportin policor, përmendet se aksioni është shtrirë në dy lagje të Mitrovicës së Veriut.

Në rrugën “Kollashini”, rreth orës 15:00 policia ka njoftuar se njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 milimetra, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake.

Tutje sipas policisë, në një lokacion tjetër më saktësisht në rrugën “Çeta e Minatorëve” rreth orës 16:30, është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Rezultatet e aksionit u paraqitën edhe në një konferencë të jashtëzakonshme për media që u mbajtë në mbrëmjen e 14 qershorit.

Zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani tha se armët janë gjetur në dy lokacione dhe ishin fshehur nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

“Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq. Ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri të Mitrovicës që ndërlidhet me personin në kërkim Zarko Cvetkoviq”- ka thënë Elshani.

Sipas tij në lokacioni e parë ku janë kryer bastisje janë konfiskuar: 3 armë të gjata AK-47; 4 karikatorë me 60 fishekë; 1 krehër me 11 fishekë, 1 këllëf revole, 1 çantë ushtarake, kurse në lokacionin e dytë janë koksifikuar 1 rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me 1 karikator me 8 fishekë, 3 karikatorë me nga 8 fishekë, 2 karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjatë, 10 krehër me fishek të armës së gjatë (99 fishekë), 1 kuti me fishekë 7×62, 4 pastruese të armës, kuti më lëndë të dyshimtë.

Elashani ka thënë se shtëpitë ku është gjetur armatimi kanë qenë të banueshme dhe sipas tij, ka eksploziv dhe pajisje të tjera që mund të përdorën për të dëmtuar automjetet e policisë.

Policia ka bërë të ditur se të premten ka kryer bastisje dhe dy lokacione të tjera, ku janë sekuestruar armë dhe municione të ndryshme.

Sipas policisë në një lokacion janë gjetur: 3 armë e gjatë me bajonetë, 1 pistoletë me 2 karikatorë me nga 8 fishekë 7×62 dhe 1 fotrollë, çante e zezë me pajisje për pastrim të armës, 2 kutia me nga 50 fishekë 7×62, 3 karikatorë me fotrollë me nga 8 fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë. Kurse në lokacionit tjetër janë gjetur: Iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, 1 uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës se parë, adapter për radiolidhje.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrosit në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.