Dështon përsëri mbledhja e Kryesisë të Kuvendit, Konjufca cakton seancën për të enjten

Në mungesë të kuorumit ka dështuar përsëri mbledhja e Kryesisë të Kuvendit të Kosovës. Por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka caktuar seancën për të enjten, më 18 nëntor.

Kjo është bërë nga Konjufca duke iu referuar nenit 67 të Kushtetutës së Kosovës, pas dështimit të Kryesisë së Kosovës për t’u mbledhur dhe për ta caktuar seancën plenare.

“Institucionet tona dhe kushtetuta e ka paraparë që Kuvendi nuk mund të bllokohet. Neni 67 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ia lejon kryetarit të kuvendit që të thërret seancat dhe ta organizojë rendin e ditës. Pas konsultimeve edhe me nënkryetaren Bogujevci dhe nënkryetarin Kujtim Shala që ishin të pranishëm në mbledhje të kryesisë dhe pasi i morra mendimet e grupeve parlamentare vendosëm që me vendim të kryetarit të Kuvendit ta caktojmë seancën pasnesër më 18 nëntor në orën 10:00”, tha Konjufca.

Në këtë seancë pritet të caktohet edhe nënkryetari nga radhët e PDK-së pasi Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Jugut në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Sa i përket agjendës legjislative Konjufca tha se deri tash 62 ligje janë proceduar në Kuvend.

“Kjo ka mundur të jetë shumë më e kënaqshme por këtë agjendë e kanë dëmtuar edhe zgjedhjet lokale përgjatë këtyre dy muajve. Po të ishin mbajtur në mënyrë të rregullt seancat prej shtatorit ma merr mendja që agjenda legjislative do të ishte më e kënaqshme”, ka thënë ai.

Konjofuca ka folur edhe lidhur me mospjesëmarrjen e Listës Serbe duke thënë se janë duke bërë shantazh.

“Lista Serbe po e bojkoton qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme kryesinë. Kjo është e papranueshme dhe nuk pranojmë shantazh. Lista serbe po e bënë shantazhin në mënyrë publike pa e fshehur. Simiq po vjen këtu po shfaqet pastaj në momentin që po e sheh që bashkë me të po jemi 4 me në kuorum ai po largohet që ne të mbesim 3 dhe të mos mund ta mbajmë mbledhjen e kryesisë shkaku i kuorumit”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit.

Sipas Konjufcës, në këtë mbledhje ishte nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe nënkryetari Kujtim Shala.

Ndërsa për Simiq tha se ishte në kryesi dhe u largua.

“Këtë e ka bërë edhe sot ishte më herët dhe u largua. Me këtë Lista Serbe po mundohet ta krijojë një kushtëzim. Me zgjedhjen e nënkryetarit të PDK-së seancën e ardhshme nuk do të vërehet më mungesa e Simiq”, tha ai.