Seanca e rastit "Toka" | Foto: Kallxo.com

Dështon mbajtja e seancës së rastit ‘Toka’

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë po akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Seanca e sotme dështoi të mbahet pwr shkak se mungoi avokati mbrojtës i Faredin Gashit, njërit nga të akuzuarit në këtë rast.

Gjykata njoftoi se Faredin Gashi, kishte të autorizuar për mbrojtje avokatin Gëzim Kollçaku, i cili për shkaqe shëndetësore nuk mundi të paraqitej në seancë.

Gjithashtu, sipas gjyqtarit të rastit Arben Hoti, i akuzuari Gashi kishte të autorizuar edhe avokatin Tahir Rrecaj, por i njëjti kishte menduar se avokati Kollçaku do të prezantonte sot dhe nuk kishte ardhur.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë  meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.