Hatidza Mehmedoviç, e cila ndërroi jetë në vitin 2018, e fotografuar në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës. Foto kortezi e N1.

Dëshira e fundit e “Nënave të Srebrenicës”: Ta shohin Ratko Mlladiçin të dënuar

Nënat e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë po presin vendimin përfundimtar në gjyqin e shefit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç javën e ardhshme – por ndërsa vitet kanë kaluar, disa nëna që ndoqën gjyqin me vëmendje kanë ndërruar jetë para se të shihnin drejtësinë që dëshironin.

Kur kishte një seancë dëgjimore në një gjyq për gjenocidin e Srebrenicës në gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë, Hanifa Djogaz zakonisht bashkohej me nënat e tjera të pikëlluara të burrave dhe djemve boshnjakë që u vranë në masakrat nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 për të ndjekur gjyqin në televizion.

“Ato ofronin mbështetje për njëra-tjetrën, ndanin bashkë pikëllimin e tyre”, tha vajza e saj, Razija Husejinoviç.

Më 8 qershor, gratë e shoqatës “Nënat e Srebrenicës” do të mblidhen përsëri në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës për të parë vendimin përfundimtar në gjyqin e ish-shefit ushtarak të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç, i cili po përballet me gjykimin për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

Por Hanifa Djogaz nuk do të jetë me ta. Ajo ndërroi jetë në moshën 72-vjeçare në janar të këtij viti pa mundur të shihte vendimin e gjykatës në rastin e Mlladiçit, i cili akuzohet për komandimin e forcave që vranë djemtë e saj Samirin dhe Sabahudinin dhe burrin e saj Hamedin.

Djogaz është një prej disa nënave të viktimave të Srebrenicës që kanë ndërruar jetë para se të shihnin vendimin në gjyqin e Mlladiçit. Ashtu si të pandehurit për krime lufte po bëhen gjithnjë e më të moshuar dhe të dobët dhe ndonjëherë vdesin para gjykimeve të tyre, të mbijetuarit e luftës gjithashtu plaken ndërsa gjyqet zgjaten për vite me radhë. Vetë Mlladiç është gjykuar për një dekadë.

Husejinoviç tha se Djogaz e pa Mlladiçin ndërsa forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin mbi Srebrenicën, në fshatin Potocari. Për ditë me radhë pasi shpëtoi, ajo nuk mund të fliste për shkak të frikës që kishte përjetuar. Sa herë që dikush e pyeste diçka, ajo fillonte të qante, tha e bija.

Më vonë ajo u mbyll në vetvete dhe rrallë fliste, vetëm pak fjalë para çdo seance në gjyqin e Mlladiçit.

“Ajo tha se asnjë ndëshkim nuk ishte mjaftueshëm i madh për atë që ata kishin bërë, se ata duhet t’ia kthenin përsëri fëmijët e saj, por ata nuk mund ta bënin këtë sepse i kishin çuar drejt vdekjes”, kujton Husejinoviç.

Djogaz u kthye në Srebrenicë në vitin 2000 në një përpjekje për të gjetur paqe në vendin ku kishte rritur fëmijët e saj. Por ajo vuajti në mënyrë të përsëritur pasi trupat e fëmijëve të saj nuk u gjetën të paprekur, por me pjesë të cilat u zbuluan në periudha të ndryshme kohore.

“Ajo shkonte atje, identifikonte rrobat e fëmijës së saj, e varroste atë, por trupat ishin jo të plotë. Kështu që më pas në varr shtoheshin edhe pjesë të tjera të trupave të tyre”, tha dhëndri i saj, Dzevad Husejinoviç.

“Ngjante sikur ajo i humbte dhe i varroste çdo herë nga e para. Zemra e saj copëtohej sa herë që ajo e bënte këtë.”

“Nënat po largohen nga kjo jetë, një nga një”

Djogazi shoqërohej në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës për të parë seancat dëgjimore të Gjykatës së Hagës nga Hatidza Mehmedoviç, e cila ishte kryetarja e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”.

“Mehmediçi nuk e linte kurrë vetëm në shtëpinë e saj dhe ta mbante dhimbjen për vete”, kujton Husejinoviç.

Vetë Mehmedoviçi humbi dy djem, burrin dhe dy vëllezërit në gjenocid.

Ajo ndërroi jetë në korrik 2018, një vit pas vendimit të shkallës së parë në gjyqin e Mlladiçit, i cili e dënoi atë me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara. Mlladiçi më pas e apeloi vendimin, duke kërkuar të lirohej nga akuzat.

Pasardhësja e Mehmedoviçit si kryetare e “Nënave të Srebrenicës”, Fazila Efendiç, tha se pas të gjitha atyre që kishte kaluar Mehmedoviçi, ajo demonstroi forcën e saj me këmbënguljen e saj në ndjekjen e procedurave gjyqësore, shpesh duke udhëtuar në Hagë për seancat me përfaqësuesit e viktimave.

“Për Hatidzan, ishte shumë e rëndësishme të ndiqte me kujdes çdo gjyq. Ajo ishte shumë aktive dhe kur nuk shkonte dot në Hagë, na mblidhte bashkë dhe na thoshte se duhet ta ndiqnim bashkë seancën, se ishte e rëndësishme”, tha Efendiç.

“Ajo kishte vërtet një shpirt luftarak, luftonte për të vërtetën dhe drejtësinë. Pas gjithë asaj beteje, më vjen shumë keq që ajo nuk jetoi për të parë vendimin përfundimtar kundër Mlladiçit.”

Mehmedoviç një herë tha për BIRN se ishte e rëndësishme që të flitej për krimet dhe që ato të mos harroheshin.

“Unë nuk kam asnjë të ardhme, por sa të jem gjallë do të luftoj. Nuk do të luftoj kurrë për hakmarrje. Çdo viktimë e mbijetuar po lufton për drejtësi”, tha ajo.

“Ata morën lapsa nga duart e fëmijëve tanë, jo armë. Unë do të luftoj që secili fëmijë të ketë një të ardhme më të mirë, një të ardhme më të ndritur dhe më normale sesa kishin fëmijët tanë.”

Shoqata “Nënat e Srebrenicës dhe Zepës” u themelua në 1996 dhe bën fushatë në emër të të afërmve të personave që u vranë kur forcat serbe të Bosnjës pushtuan “zonat e sigurta” të Srebrenicës dhe Zepës të mbrojtura paraprakisht nga Kombet e Bashkuara.

Gratë kanë fituar një reputacion të madh për fushatën e tyre për të treguar të vërtetën. Ato ishin të përfshira në çështjet kundër Kombeve të Bashkuara dhe Holandës për pretendimin për neglizhencë nga ana e trupave holandeze të Kombeve të Bashkuara, që lejuan vrasjen e boshnjakëve. Ato gjithashtu bindën Parlamentin Evropian të miratojë një rezolutë që u kërkon të gjitha vendeve të BE-së ta shënojnë 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Efendiç tha se dhjetëra nëna të viktimave të Srebrenicës tashmë kanë ndërruar jetë pa qenë në gjendje të varrosin të dashurit e tyre ose të shohin të dënuar vrasësit e tyre. Të tjera po plaken, po bëhen gjithnjë e më të dobëta dhe shëndeti i tyre po përkeqësohet. “Nënat po largohen nga kjo jetë, një nga një”, tha ajo.

Deri në vdekjen e saj në tetor 2020, Nura Alispahiç e kishte ndarë kohën e saj midis varreve të dy djemve të saj – njëri në Luginën e Rinisë në qytetin e Tuzlas dhe tjetri në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Djali i saj Azmiri, i cili është varrosur në Srebrenicë, ishte një nga gjashtë boshnjakët që u qëlluan për vdekje nga Akrepat, një njësi paraushtarake serbe, në fshatin Trnovo në 1995. Paraushtarakët i filmuan vrasjet si një trofe.

Ajo gjithashtu humbi burrin e saj në 1993, pastaj vëllain e saj, 12 nga nipat e saj dhe pesë kunetërit në gjenocidin e Srebrenicës. Pasi u detyrua të largohej nga shtëpia e saj gjatë luftës, ajo më vonë u kthye në Srebrenicë për të jetuar aty ditët e saj të fundit.

“Tani nuk ka kush të më vijë më për vizitë. Për mua jeta s’ka asnjë kuptim… Jeta kishte kuptim kur kisha ende fëmijët dhe një burrë. Të gjithë u vranë. Tani jetoj e vetme dhe jam e sëmurë”, tha Alispahiq për BIRN në vitin 2017

Ajo tha se nuk besonte më në drejtësi: “Nuk ka drejtësi dhe as nuk do të ketë kurrë”, deklaroi ajo.

“Nuk mund të ma linin gjallë një nga djemtë?”

Tre djemtë e Kada Ramiç – Dzevadi, Dzemo dhe Mehmedalija – u vranë në gjenocidin e Srebrenicës. Ajo i identifikoi dhe i varrosi të gjithë para se të vdiste në dhjetor 2020 në moshën 81-vjeçare.

“Ajo thoshte gjithmonë se dëshira e saj e vetme ishte të gjente djemtë e saj, t’i varroste dhe të shihte të dënuar njerëzit që vranë fëmijët e Srebrenicës. Ajo fliste gjithmonë për këtë”, tha vajza e saj Redzija.

“Ajo i varrosi djemtë e saj, por kriminelët nuk janë dënuar ende.”

Babai u sëmurë dhe zuri shtratin kur gjetën eshtrat e djemve të tij, tha ajo, duke shpjeguar se ai nuk mund të duronte më të jetonte pa shpresën që ata do të ktheheshin gjallë.

Nëna e saj ishte një grua e qetë dhe e mbyllur, që nuk fliste shumë dhe zakonisht i fshihte lotët, por nuk humbi asnjë seancë gjatë zhvillimit të gjyqeve të Srebrenicës në Hagë.

“Sapo të shihte fytyrat e tyre në televizor, ajo fillonte të qante dhe thoshte: “Nuk mund të më linin të paktën gjallë një nga katër djemtë e mi? Vetëm njërin?” tha ajo.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, vetëm një përfaqësues i secilës shoqatë të viktimave të luftës në Bosnje do të lejohet të dëgjojë dhënien e vendimit përfundimtar të Mlladiçit në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë javën tjetër.

Efendiç tha se do të shkojnë gratë që janë më të reja në moshë dhe më të shëndetshme, ndërsa ato do të mblidhen për ta ndjekur bashkë dhënien e vendimit në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

“Mezi po pres ta shoh të dënohet me burgim të përjetshëm, të shoh të konfirmohet vendimi i shkallës së parë”, tha ajo. “Nuk pres asgjë tjetër, asgjë më pak se kaq.” BalkanInsight