Deputetja e PDK-së kërkon lirimin e aktivistit të Vetëvendosjes që e quajti "hajn" presidentin Thaçi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili, ka kërkuar lirimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili sot u arrestua pasi e quajti “hajn” presidentin Hashim Thaçi.

Sipas Ismailit, e drejta e protestimit është në kuadër të konjukturave ligjore dhe e garantuar pavarësisht bindjeve politike dhe ideologjike.

“E drejta e protestimit, në kuadër të konjukturave ligjore është e garantuar pavarësisht bindjeve politike dhe ideologjike. Çdo shpërputhje e kësaj të vërtete është e papranueshme, sidomos kur kjo vie mbi gjykimet dhe trajtimet selektive të institucioneve. Kërkoj lirimin e aktivistit politik Veron Hasani, si akt garantues i yni shtetëror për lirinë e protestës dhe fjalës së lirë”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Aktivisti i LVV-së është arrestuar sot pasi që gjatë një konference të presidentit Thaçi e kishte quajtur këtë të fundit “hajn”.

Kjo parti ka deklaruar se aktivisti i tyre është rrahur dhe gjakosur nga truprojat e Thaçit.

Në anën tjetër, presidenti në një emision e përgëzoi punën që bëri mbrojtja e tij e afërt.

VIDEO: Arrestimi i qytetarit që e quajti hajn presidentin Thaçi