Foto: Alicia Kearns/ Twitter

Deputetja britanike kritikon BE-në pas paralajmërimit për masa ndaj Kosovës

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe dhe deputetja britanike, Alicia Kearns, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian pas njoftimit se kjo e fundit ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën ndërsa ka theksuar se veprime të tilla inkurajojnë palën serbe për të vazhduar më tej.

“Bashkimi Evropian është joproduktiv për de-eskalimin e situatës në veri, duke inkurajuar Beogradin për të: Ndërhyrë në zgjedhje të huaja; të rrëmbejë ilegalisht policë kosovarë; të financojë militantët. Megjithatë nuk ka pasoja. Kjo është e rrezikshme” – ka shkruar Kearns në Twitter.

Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman.

Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

BE paralajmëron shpalljen e masave ndëshkuese kundër Kosovës