Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

Deputetja Blerta Deliu-Kodra shkarkohet nga Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është shkarkuar sot nga pozita e anëtares në Komisionin për kompensimin e viktimave të krimit.

Për shkarkimin e saj nga kjo pozitë, pro kanë votuar katër deputetë të Komisionit parlamentar për legjislacion, mandate, imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar.

Para se të hidhej në votim, kjo çështje ka përplasur deputeten Deliu-Kodra dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ishte pranishme në mbledhjen e Komisionit.

Deliu-Kodra tha se ministrja Albulena Haxhiu e ka bërë një linçim publik kur ka folur në një televizion duke e quajtur ‘hajneshë’.

“Ministrja në formën e saj tendencioze zgjodhi të dalë në media, të linçojë, të shpifë e të më quaj hajneshë në paraqitjen mediale. E kam bartur me shumë përgjegjësi këtë punë. Asnjë cent të taksapaguesve nuk e kam vjedhur kurrë dhe kurrë nuk do të lejoj që një ministre si ju të më linçoj mua”- ka thënë ajo.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kjo nuk ka të bëjë më çështje personale.

“Ligji nuk lejon kompensimin në qoftë se nuk shkon. Nuk është çështje personale. Për besë nuk besoj kurrë që e kam përdorur termin hajn apo hajneshë, nuk besoj. Keqpërdorim të parasë publike, e vazhdojmë rastin në gjykatë. Po të isha si ju do të kërkoja falje”- tha Haxhiu.

Muajin e kaluar, ministrja Haxhiu deklaroi se deputetja Deliu-Kodra ka marrë para pa qenë prezente në mbledhjet e Komisionit për kompensim të viktimave të krimit.

“E kam kërkuar një auditim në Ministri të Drejtësisë, në raport me punën e Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, edhe këtu gjejnë me vjedhë. Kjo (Blerta Deliu) edhe përkundër faktit që më shumë s’ka shku në mbledhje sesa që ka shku, i ka marrë pare më shumë se 2,000 euro. Për mua është keqpërdorim, hajni, mbledhje. Zonja Deliu – Kodra nuk ka qare pa i kthy paret që janë të Ministrisë së Drejtësisë”- ka thënë ajo në ATV.

Blerta Deliu-Kodra ka dorëzuar padi për shpifje ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti”- ka shkruar deputetja Deliu-Kodra në Facebook.

“Shihemi në gjykatë, Albulenë”- ka shtuar ajo.

Deputetja Blerta Deliu – Kodra padit ministren Haxhiu për shpifje