Deputeti egjiptian: Ka nisur pazari, nuk e votoj një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve

Deputeti i partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, por që në këtë legjislaturë është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ka marrë oferta për ta përkrahur qeverinë e re.

Në një reagim në Facebook, Krasniqi tha se nuk do ta përkrahë një qeveri të re e cila është pa fituesin zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Tash e disa ditë, mua dhe partisë sime po i vijnë oferta të ndryshme nga ata që po e duan një qeveri të re. Ajo që nuk do të ndodh është vota ime për një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Prandaj le të mos e humbin kohën e tyre. Ajo që po ndodh është pazari i nisur me deputetët e që duhet t’i alarmojë qytetarët, të cilët i siguroj që vota ime nuk do të jetë pjesë e asnjë pazari!”, ka shkruar Krasniqi.

Qeveria të cilës i prin Albin Kurti u rrëzua më 25 mars një mocion i mosbesimit i iniciuar nga LDK, partneri qeverisës.

Deri më tani, të gjitha partitë janë shpreh për formimin e një shumice të re parlamentare në Kuvendin e Kosovës përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila doli forca e parë politike në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi ka deklaruar se ka dërguar një letër në adresë të partisë së dytë, LDK, për t’i kërkuar emrin e mandatarit, pa e refuzuar partia fituese, LVV.

Këtë situatë të krijuar është duke e kundërshtuar partia e Albin Kurtit.

Haxhiu i kërkon Thaçit ta bëjë publike letrën për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër

www.kallxo.com