Sipas ligjit të Kosovës, sa vite burg rrezikoni nëse lëvizni gjatë orës policore

Kosova ndodhet në një gjendje emergjente të shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si masë për luftimin e virusit corona.

Deri në këto çaste ky virus në Kosovë ua ka marrë jetën 6 personave ndërsa sipas të dhënave të deritanishme të infektuar janë 224 persona.

Coronavirusi tani është shtrirë pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës dhe edhe pse Qeveria ka marrë masa duke e kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve, numri i infektuarve vetëm sa po shtohet.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës janë përcaktuar një sërë masash ndër to edhe ndalimi i lëvizjes pas orës 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Mos respektimi i këtyre masave ndëshkohet me burg dhe me gjoba.

Dënimet gjatë kohës së pandemisë së coronavirusit në Kosovë janë :

Dënim me burgim deri në 3 vite ose dënim më gjobë për secilin që haset duke mos vepruar sipas vendimit të qeverisë apo ministrisë së shëndetësisë.

Dënim me burgim deri në 6 muaj ose dënim me gjobë për personat të cilët nga pakujdesia nuk veprojnë sipas vendimit të qeverisë.

Dënim me burgim deri në 12 vite për këndo që nuk vepron sipas vendimit të Qeverisë dhe veprimet e të cilit rezultojnë me vdekjen e ndonjë personi.

Dënim me burgim deri në 8 vite për këndo që nuk vepron sipas vendimit të Qeverisë dhe veprimet e të cilit rezultojnë me lëndim të rëndë të shëndetit të ndonjë personi.

Dënim me burgim deri në 3 vite për këndo që vepron në kundërshtim me vendimet e qeverisë nga pakujdesia dhe veprimet e të cilit rezultojnë me lëndimin e rëndë trupor të ndonjë personi.

Dënim me burgim deri në 8 vite për këdo që vepron në kundërshtim me vendimet e qeverisë nga pakujdesia dhe veprimet e të cilit rezultojnë me vdekjen e ndonjë personi.

Secili qytetar i cili në kohë epidemie haset duke mos vepruar sipas vendimeve të qeverisë dënohet deri në 2 vite burgim

Secili qytetar i cili nuk e paraqet rastin e sëmundjes ose vdekjen nga virusi Cov-id, ndëshkohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro.

Secili qytetar i cili nuk i ndërmerr masat mbrojtëse kundër sëmundjes dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro

Secili qytetar i cili nuk i zbaton masat mbrojtëse dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro.

Kushdo që nuk e kryen dezinfektimin me kohë dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro.

Kushdo që mbanë në punë personin e infektuar me Cov-id 19, dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro.

Kushdo që refuzon të shtrihet në spital ose të izolohet, ndëshkohet nga 250 deri në 1 mijë euro.

Kushdo që aplikon në punë ose vazhdon të punojë edhe pse është i sëmurë me COV-id ndëshkohet nga 250 deri në 1 mijë euro.

Kushdo që bart të vdekurin pa lejen e organit kompetent ndëshkohet nga 250 deri në 1 mijë euro.

Kushdo që ushtron veprimtari pa kontrollin paraprak sanitar ndëshkohet nga 500 deri në 1 mijë euro.