Dëmtohet kabllo elektrike, dalin jashtë funksionit pompat e ujit në minierën e Stantërgut

Një kabllo e rrymës është dëmtuar në horizontin e 3-të në minierën e Stantërgut, në Mitrovicë.

Për shkak të këtij dëmtimi kanë dalë jashtë funksionit pompat e ujit që nxjerrin në sipërfaqe ujërat nëntokësore nga horizontet e “Trepçës”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Fatos Begu, zyrtar në këtë minierë.

“Jemi duke punuar në rregullimin e kabllos, dhe besojmë që shumë shpejt do kthehet në punë“, tha Begu.

Sipas tij, nuk ka ndonjë dyshim se si është dëmtuar kabllo.

Ai tregoi se përveç pompave të ujit, pjesa tjetër e minierës është duke punuar normalisht.

KALLXO.com raportoi ditë më parë për një rast tjetër të dëmtimit të kabllos elektrike në zonën e terminalit doganor në “Trepçë“, i hapur pak javë më parë nga Qeveria e Kosovës.