Dëmtohet kabllo e energjisë elektrike në terminalin doganor në "Trepçë", reagon Policia
Mbrëmë rreth orës 20:00 në parkun industrial të ndërmarrjes “Trepça” persona të panjohur deri më tani kanë dëmtuar kabllot e energjisë elektrike nga ku furnizohet me rrymë terminali publik i hapur pak javë më parë nga Qeveria e Kosovës.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani.
“Ka ndodhur një tentim për dëmtim të kabllos kyçe që e furnizon Doganën e Republikës së Kosovës në terminal”, ka thënë u.d. kryeshefi i “Trepçës”.
Abdurrahmani ka thënë se për rastin janë njoftuar edhe forcat e rendit të cilat kanë nisur hetimet.
“Policia e Kosovës ka qenë në vend të ngjarjes dhe është njoftuar me rastin. Dëmi është evituar nga ekipet profesionale të “Trepçës”, dhe është kthyer furnizimi me energji në normalitet, me respekt”, ka thënë ai.
Terminali doganor në hapësirat e “Trepçës” u hap ditë më parë. Në hapjen e këtij terminali mori pjesë kryeministrit i vendit, Albin Kurti.
Javë më parë, brenda hapësirave të menaxhmentit të “Trepçës” ndodhi një sulm ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj ndërmarrjeje. Disa persona përfunduan prapa grilave duke përfshirë edhe ish-kryeshefin e “Trepçës”, Rafet Ibishi.
30 ditë paraburgim për Rafet Ibishin dhe të tjerët për dhunën në Trepçë
www.kallxo.com