Demokraci Plus: OSHP-ja duhet të ndaloj mbajtjen e seancave pa palë

Organizata jo-qeveritare Demokraci Plus ka reaguar ndaj mënyrës së mbajtjes se seancave të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ky organ shqyrtues që nga shfaqja e pandemisë COVID-19 seancat është duke i zhvilluar pa praninë e palëve dhe publikut.

Demokraci Plus përmes një komunikate ka thënë se kjo formë “është duke e dëmtuar seriozisht integritetin e procesit të shqyrtimit të ankesave”.

“Mos mbajtja e seancave me palët në kuadër të shqyrtimit të ankesave u pamundëson palëve ballafaqimin e argumenteve ndërmjet tyre dhe kundërshtimet e ekspertizave gjë që paraqet thelbin e shqyrtimit të ankesave në prokurim publik. Po ashtu, ballafaqimi i palëve është e drejtë e garantuar me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative. Secilës palë duhet t’i garantohet e drejta e dëgjimit pranë panelit në mënyrë që të ketë mundësi të dëshmojë se ankesa është e bazuar dhe se paneli ka dëgjuar të gjitha provat dhe pretendimet e parashtruara”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë jo-qeveritare i ka bërë thirrje OSHP-së që shqyrtoj vendimin për mos mbajtjen e seancave të hapura dhe të fus në përdorim tekonologjin.

“Në praktikën aktuale, OSHP është duke marrë vendime vetëm në prani të panelit me arsyetimin e rrezikimit nga pandemia. Sidoqoftë, ky arsyetim ka pasur bazë vetëm për një kohë të shkurtër dhe OSHP duhet që të përdorë teknologjinë informative, apo të organizojë seancat me masa mbrojtëse dhe në këtë mënyrë t’i mundësojë palëve që të parashtrojnë argumentet e tyre në seancë ku i ballafaqojnë të gjitha kundërshtimet dhe pretendimet e veta. Prandaj, Demokraci Plus i bënë thirrje OSHP-së që të rikonsideroj vendimin e saj për të mos mbajtur seanca të hapura me palët dhe të garantojë se secili vendim i saj të nxirret vetëm pasi që palëve t’iu garantohet e drejta e dëgjimit”, vazhdon komunikata.