Faktet nuk kanë alternativë

 

Kur Kellyanne Conway, në janar të 2017-ës, duke folur për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump, kishte folur për “faktet alternative”, mund të thuhet se kishte ndryshuar një nga paradigmat e komunikimit publik.

Këshilltarja e Presidentit Trump, duke dashur të mbrojë qëndrimin që e kishte dhënë zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, lidhur me numrin pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit, tha se Spicer ofroi “fakte alternative”, pasi moderatori Chuck Todd deklaroi se Spicer kishte thënë të pavërteta.

Kellyanne Conway kështu e sfidoi hapur një paradigmë tjetër amerikane, që ka qenë e përbrendësuar në komunikimin me publikun, atë se “secili ka të drejtë të ketë mendim të vetin, por nuk të drejtë të gabojë faktet”.

Deklarimi për faktet alternative, para miliona shikuesve e ilustroi hapur një tendencë që më herët dihej, por nuk flitej hapur për të – manipulimin e të vërtetës nga politikanët.

Problemi global dhe telashet lokale

Lajmet e rrejshme janë problem global dhe shumë serioz. Fakti që rrjetet sociale janë popullarizuar aq shumë, i mundëson po thuajse secilit njeri ose organizatë në planet që të postojë foto, video, montazhe, statistika të vërteta ose të rrejshme, citate të vërteta ose të rrejshme, të dhëna historike shkencore ose të deformuara dhe mbi të gjitha t`i postojë të gjitha këto gjëra në emër të tij, apo në çfarëdo pseudonimi ose emri të rrejshëm dhe për këtë të jetë gati i paprekshëm sa i përket përgjegjësisë penale ose ligjore.

Në një hulumtim të përgatitur nga Demokraci Plus për këtë temë del se janë disa forma ose zhanre të lajmeve të rreme, që “kapërdihen” nga audienca:

  1. Lajmet për kuriozitete – janë forma më e përhapur e lajmeve të rreme të cilat synojnë të ndikojnë audiencën. “A e dini se banka …. ka falimentuar në vendin e origjinës? A e dini se Xhorxh Uashington është shqiptar? Arsyeja pse policia i ka gati autoblindat?, etj.”
  2. Lajmet e rreme politike – bëjnë pjesë në kategorinë më të rrezikshme të lajmeve të rreme. Informacionet se ky politikan është i njohur për bashkëpunimin me Serbinë apo shërbimin inteligjent serb dhe informacione që ky politikan është i lidhur me Qeverinë e Kosovës, apo AKI-në, janë lajme të cilat mbysin audiencën në mediat shqiptare e serbe para dhe pas zgjedhjeve. Në Ballkan tashmë është vërtetuar tendenca e prodhimit të lajmeve të rreme për llogari të agjendave të Rusisë dhe radikalëve islam të ISIS. Përdorimi i terminologjisë së lajmeve të rreme nga politikanët ballkanikë po ashtu ka dëmtuar reputacionin në publik të mediave serioze.
  3. Lajmet për historinë – në realitetin e Kosovës ku historia e vendit është shkruar në librat e historisë në dy ose tri versione, lajmet e rreme për ngjarjet historike janë zhvilluar tej mase. Ndikimi turk në prodhimin e lajmeve për historinë e qeverisjes osmane në Ballkan ka prodhuar mijëra informacione historike të cilat nuk kanë asnjë bazë ose fakt të konfirmuar nga historianët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të kaluarën e komunizmit dhe historisë së shkruar për shekullin e 20-të, ku lajme të pabazuara në fakte vazhdojnë ta keqinformojnë publikun për ato çfarë kanë ndodhur realisht gjatë këtij shekulli.
  4. Lajmet për ekonominë dhe konkurrencën – konkurrenca në ekonomi përpos investimeve në marketing e ka parë si mundësi të mirë krijimin e lajmeve të rreme për konkurrentët me qëllim që t`ua dëmtojë biznesin. “Nuk do ta besoni se çfarë zbuloi qytetari në këtë market”, “Zbulohen krimba në këtë ushqim”, “Kjo bankë mund të falimentojë”, etj., janë disa nga titujt të cilët janë publikuar në mediat tona e të cilët për qëllim kanë favorizimin e një konkurrenti tjetër duke e dëmtuar reputacionin e biznesit për të cilin është shkruar lajmi i rremë.

Kosova ka disa specifika në raport me vendet tjera, që e bëjnë vendin tonë terren të lehtë për përhapjen e lajmeve të rrejshme.

Faktori i parë është depërtueshmëria e lartë e internetit. Rreth 90% e kosovarëve kanë qasje në internet, që si shifër është bindshëm më e larta në rajon dhe meqë shumica e lajmeve të rreme shpërndahen pikërisht nëpërmjet internetit, mbase të gjitha analizat serioze duhet nisur nga ky fakt.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është demografia. Kosova e ka popullatën më të re në rajon dhe ndër më të rejat në Evropë dhe kjo nënkupton që shumë kosovarë përdorin rrjetet sociale (shumica më shumë se një) për komunikim. Mirëpo, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të përdorimit të rrjeteve sociale edhe për informim dhe kjo paraqet “poligonin për bombardim” me lajme të rrejshme. Për postime në rrjete sociale nuk vlejnë standardet gazetareske si për gazeta, portale, radio ose televizione dhe burim i një lajmi mund të jetë gjithkush, pavarësisht nëse është i besueshëm si burim apo jo.

Mbase duke u nisur nga dy faktorët e parë, në Kosovë jemi po ashtu dëshmitarë se si prijësit politikë dhe fetarë përdorin pikërisht rrjetet sociale për të komunikuar me publikun, madje duke i ikur edhe konferencave për media dhe takimeve publike.

Kjo i pamundëson gazetarët që të “sfidojnë” figurat publike me pyetje dhe ata ose detyrohen të pasqyrojnë komunikimet e tyre ne facebook si lajme të njëanshme, ose t`i injorojnë, duke rrezikuar të dalin jashtë rrjedhave të lajmit.

Në hulumtimin e bërë nga Demokraci +, thuhet se në Kosovë janë mbi 400 media online, por vetëm rreth 30 nga to janë anëtare të Këshillimit të Mediave të Shkruara dhe i përmbahen disa standardeve dhe kritereve editoriale.

Punët më mirë se në rang-listë

Në raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak. Kuptohet, rënia në rang-listën globale kërkon analizë të thellë të asaj që ka ndodhur në Kosovë, ose të asaj që ka ndodhë në vendet tjera që mund të kenë shënuar përparim ndërkohë.

Sidoqoftë, është e pamohueshme që situate me mediat dhe lirinë e shprehjes në Kosovë është më mirë se në vendet e rajonit. Në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnje e Hercegovinë, manipulimi me mediat, me të vërtetën dhe me “faktet alternative” është më i madh.

Peisazhit të lirisë së shprehjes në Kosovë, duhet thënë që nuk i kontribuojnë vetëm mediat, por edhe OJQ-të dhe ‘think tank’ organizatat që bëjnë hulumtime kredibile dhe shpesh shërbejnë si burime të informatave për mediat kryesore.

Kjo sinergji është e domosdoshme që të vazhdojë dhe këtij tandemi të mediave dhe shoqërisë civile t`i shtohet edhe një partner i rëndësishëm – sistemi arsimor.

Edukimi medial, identifikimi i lajmeve në rreme dhe luftimi i tyre bëhen vetëm nëpërmjet arsimimit. Fillimisht duhet arsimuar mirë gazetarët, por paralelisht duhet punuar në arsimimin e audiencës dhe kësaj sfide globale duhet t`i përgjigjemi me një përpjekje të përbashkët lokale. Kjo është e pakta që mund të bëjmë.