Dekretimi i Fejzullah Rexhepit. Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës/Facebook

Dekretohet kryetari i ri i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekretuar kryetarin e ri të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi.

Osmani sot ka pritur në takim Rexhepin e kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ku me propozim të KGJK-së, presidentja ka dekretuar Rexhepin në pozitën e tij të re.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, në takim presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e funksionimit të pavarur të sistemit gjyqësor, dhe në veçanti, rolin e Gjykatës Supreme brenda këtij sistemi.

Tutje është thënë se në këtë drejtim, e para e shtetit ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, brenda kompetencave dhe rolit të saj kushtetues për një sistem të drejtësisë të pavarur, funksional, dhe i cili siguron besimin e qytetarëve në të.