Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Deklarata e Kurtit për punësimin e njëkohshëm të mjekëve sjell paknaqësi

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ditë më para deklaroi se gjatë qeverisjes së tij mjekët duhet të zgjedhin sektorin në të cilin duan të punojnë, pasi që do t’u pamundësohet punësimi i njëkohshëm në sektorin publik dhe atë privat. Por kjo deklaratë e Kurtit ka zgjuar pakënaqësi te shumica e punëtorëve shëndetësorë.

Vlerësimi i kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se me ardhjen e tij në pushtet mjekët nuk do të lejohen të punojnë në dy sektorë, atë publik dhe privat, për mantelbardhet është në kundërshtim me ligjin, raporton RTK.

Xhemajl Selmani, nga Federata Sindikale e Mjekëve të Kosovës, tha për Radio Kosovën se Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2013 u kishte dhënë të drejtë mjekëve të punojnë në të dy sektorët.

“Unë konsideroj që ne ia kemi bërë me dije kryeministrit në ardhje se ku janë limitet, dhe se ato limite nuk duhet t’i shkelë jo vetëm ai por secili që vjen edhe pas tij. Ai mund t’i shkaktojë telashe vetvetes por edhe neve edhe popullatës”, tha ai.

Doktor Selmani ka një këshillë për kryeministrin në ardhje, Albin Kurti.

“Për tetë orëshin e punës, të cilit i përgjigjët sektori publik, ta kontrollojë që të mos mund të punojë tjetër kund. Se çka bën mjeku mbas orarit të punës, është çështje individuale dhe e drejta për punë futet në Konventën për Të Drejtën e Njeriut”, potencoi ai.

Por, në deklarimet e pasurisë që janë bërë këtë vit në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, është parë se disa nga mjekët punojnë deri në pesë vende të punës përfshi edhe Institucionet Publike Shëndetësore./RTK.