Deficiti tregtar më i ulët për 4,6% në qershor 2023, krahasuar me 2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2023

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 4,6% në muajin qershor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 398,8 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 418,1 milionë euro në vitin 2022.

Eksporti mbulon importin me 14,7%.

Eksporti i mallrave në muajin qershor 2023 kishte vlerën 68,5 milionë euro, ndërsa importi 467,3 milionë euro, që është një rënie prej (-8,1% për eksport dhe (-5,2%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Eksportet sipas sektorëve të grupeve kryesore:

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16,3% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14,4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani etj.

Importet sipas sektorëve të grupeve kryesore:

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13,2% e përbëjnë produktet minerale; 11,5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10,2% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.