Debati për sigurinë në punë – Përgjegjësi e kujt është vendosja e pajisjeve të punës?

Në debatin “Bizneset pa Procedura”, i cili u transmetua në emisionin #KallxoPërnime, Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve ka deklaruar se me rregullore të re, punëtori e bart përgjegjësinë për vete nëse nuk e bartë garderobën e nevojshme në vendin e punës.

“Rregullorja është që punëtori tani me rregullore të re është i obliguar dhe mbart përgjegjësinë së pari për vetveten nëse nuk e mbartë gardërobën, për këtë duhet unë thashë që në koordinim me punëdhënësin duhet inspektorat të cilët na dhanë një lajm të mirë se do të bëhen edhe 40 inspektorë” – tha Selimaj.

“Nuk thashë që punëtori është gjithnjë fajtor, fajtor është ai i cili rregullat të cilat i ka pru ligji, se secili puëntor është i obliguar dhe përgjigjet për vetveten nëse nuk e ka kapelën” – theksoi ai.

Kurse Naim Bajraktari, ekspert në kompaninë HSK për siguri dhe shëndet në punë, tregon se përgjegjësia fund e krye është e punëdhënësit që të bartë pajisjet.

“Vetë kompania, çdo kompani që themelohet duhet të ia blejë pajisjet edhe pastaj punëtori a i bën a nuk i bën, përgjegjësi e kujt është?. Përgjegjësi fund e krye është e punëdhënësit. Çdo kompani që formohet e ka një procedurë për themelimin e kompanisë së vetë, i ka rregullat që ligji i ka ëprcaktu por cdo kompani i bëjnë dhe rregullat e veta, mirëpo gjithmonë në favor të ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve”- theksoi Bajraktari.

BIRN Kosova të premten publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.

Raporti i prezantuar nga BIRN trajton çështjet e menaxhimit të punëtorëve nga bizneset, sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.