Dalin rezultatet e konkursit për Drejtor Artistik të Teatrit të Ferizajt
Besim Ugzmajli, ka marrë më së shumti pikë në konkursin për drejtor artistik të Teatrin të Qytetit të Ferizajt, “Adriana Abdullahu”.
Komuna e Ferizajt ka publikuar rezultatet e konkursit të 24.04.2020 për zgjedhjen e stafit të teatrit “Adriana”.
Sipas rezultateve të këtij konkursi, për pozitën udhëheqësit artistik regjisori Ugzmajli ka marrë më së shumti pikë, duke e renditur atë në krye të listës.
Për të marrë edhe zyrtarisht pozitën e udhëheqësit artistik të teatrit “Adriana”, Ugzmajli duhet të pres të paktën edhe tetë ditë, aftë kur palët e pakënaqura kanë të drejtë ankimimi për rezultatet e konkursit.
“Duhet te pritet deri ne 8 dite për ankesat dhe pastaj zyrtarizohet për te gjithë si për stafin dhe aktorët rezident”, ka thënë për Kallxo.com Fatmir Hyseni, drejtor i teatrit “Adriana”.
Sipas ligjit për teatrin, emërimi i udhëheqësit artisti të teatrove publike bëhet nga këshilli drejtues i teatrit përkatës, në bazë të konkursit publik.
Besim Ugzmajli është nga Ferizaj. Ai ka studiuar për regji filmi dhe televizion në Universitetin e Prishtinës. Filmat e tij janë prezantuar në festivale të ndryshme prestigjioze botërore, duke sjellë edhe dhjetëra çmime ndërkombëtare. Ka punuar 6 shfaqje profesionale ne teatro te Kosovës dhe teatërin kombëtar.
Përveç rezultatit për udhëheqës artistik të teatrit “Adriana”, Komuna e Ferizajt ka bërë publike edhe rezultatet tjera të konkurseve për staf artistik dhe tekniko artistik të teatrit ferizajas.