Daka: Janë dashakeqe kritikat për procesin e verifikimit të votuesve të diasporës

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka vizituar qendrën e thirrjeve të shërbimit të votuesve në të cilën janë duke u vërtetuar aplikacionet e qytetarëve nga diaspora për të votuar për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Me këtë rast, Daka tha që kritikat që po bëhen për këtë metodë të verifikimit janë dashakeqe sepse procesi është duke shkuar në rregull.

“Procesi është duke u zhvilluar në rregull, pra i kemi 25 linja të cilat na janë dhënë nga Qeveria e Kosovës të cilat funksionojnë pa ndërprerë deri në orën 24:00 kur edhe përfundon ndërrimi i dytë, qytetarët janë duke u lajmëruar dhe unë kritikat i shoh pak dashakeqe, sepse një proces i komplikuar është duke u kritikuar pa të drejtë ne jemi duke bërë të pamundur që ti ipet mundësia për të votuar”, tha Daka para gazetarëve.

Daka tutje tha se deri më tani janë verifikuar 8000 aplikacione duke shtuar se kritikat për këtë proces janë të panevojshme.

“Në dy ditët e kaluara janë verifikuar 8000 qytetarë dhe pothuajse të gjithë janë duke u lajmëruar, tash i bie që qysh do që i verifikojmë, edhe kur i verifikojmë keq edhe kur nuk i verifikojmë keq, kur i thërrasim keq, kur nuk i thërrasim keq, unë nuk e di si ndryshe mundemi me vepru. Ne jemi duke harxhuar shumë të madhe të parave që t’ia mundësojmë të gjithë qytetarëve të votojmë”, theksoi ajo.

Daka poashtu u pyet nëse do të ketë fushatë të rregullt zgjedhore për shkak të pandemisë COVID-19, por ajo tha që ende nuk kanë vendosur.

“Si KQZ e caktojmë afatin e fushatës, ndërsa sesi respektohen masat dhe sa respektohen janë përgjegjës Policia e Kosovës edhe IKSHPK”, shtoi ajo.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt. KQZ ditë më parë ka marrë vendim që aplikacionet që vinë nga diaspora të konfirmohen përmes telefonit. Ndaj këtij vendimi LVV dhe organizata ‘Germin’ iu kanë drejtuar PZAP-së duke e konsideruar si anti-kushtetues këtë vendim.

Mirëpo PZAP i ka hedhur poshtë të dy këto ankesa, për çka Germin i është drejtuar Gjykatës Supereme.

Votat e Diasporës, ‘GERMIN’ ankohet në Supreme